TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë të gjitha mundësitë për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm por se duhet të fokusohen tek reformat.

Duke folur në Forumin “Tirana Connectivity”, të organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, Fondacionin Friedrich Ebert dhe Fondacionin Hanns Seidel, Meta tha se çdo hap i ri duhet t’i shërbejë bashkëjetesës europiane.

“E mirëprita me kënaqësi ftesën e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim për të folur në Forumin e Ndërlidhjes të Tiranës, në këtë takim të katërt të tij. Dua të vlerësoj faktin që Forumi i Tiranës gëzon mbështetjen e plotë dhe të harmonizuar të partnerëve tanë gjermanë, Konrad Adenauer, Fridrih Ebert, dhe Hans Siedel, duke reflektuar qartë mbështetjen e vendosur që ky Proces gëzon veçanërisht nga Gjermania, një partner mjaft i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë dhe në tërësi i rajonit tonë.
Ndërthurjen e Agjendës së Berlinit, si agjendë që zhvillon ndërlidhjen dhe ndërveprimin më efikas mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me Agjendën e Zgjerimit të Bashkimit Europian e gjej si qasje konstruktive dhe të dobishme të Bashkimit Europian”, tha Meta.

Meta Tek Forumi (1)
Meta Tek Forumi (1)

Ai theksoi se rocesi i Berlinit së pari dëshmon për vëmendjen dhe angazhimin e posaçëm politik që Bashkimi Europian i kushton rajonit tonë.
“Samitet e Berlinit, Vjenës, Parisit, Triestes dhe Londrës janë dëshmi domethënëse e kësaj vëmendjeje. Gjeografia e këtyre Samiteve flet qartë për angazhimin dhe interesin e aktorëve të mëdhenj të Bashkimit Europian, që bartin dhe një histori të përfshirjes së tyre strategjike në Ballkan.
Së dyti, Axhenda e Berlinit gërsheton projektet strategjike rajonale me mekanizmat financiarë ndërkombëtarë që mundësojnë zbatimin e tyre. Projektet ambicioze me pronësi rajonale nuk mungojnë. Zona ekonomike rajonale, Korridori Blu, projektet e infrastrukturës energjetike, Zyra Rajonale Rinore, janë tashmë aty”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Meta thkesoi se beson se katalizator i fuqishëm i këtij stadi bashkëpunimi ishte liberalizimi i vizave mes vendeve të rajonit, që shkuli që tabu të madhe psikologjike për ndërlidhjen njerëzore.

“Ne patëm të drejtë kur e ndërmorrëm këtë nismë edhe në mënyrë të njëanshme me vendet e rajonit duke hequr vizat, duke besuar se ky ishte një hap i vogël, por konkret për të rritur frymën e besimit dhe bashkëpunimit mes vendeve dhe qytetarëve tanë.
Procesi i Berlinit synoi pikërisht dinamizimin e këtij tipari kyç dhe parakusht të integrimit europian – bashkëpunimin e hapur, konstruktiv dhe konkret ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor nën modelin më të mirë që ofron Bashkimi Europian.
Që nga takimi i parë i Berlinit, bashkëpunimi rajonal ka njohur hop cilësor me nisma dhe projekte konkrete, siç përmenda më herët, por gjithashtu ka shënuar përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe, si për shembull Marrëveshjet e arritura rishtaz mes Maqedonisë me Bullgarinë apo Maqedonisë mee Greqisë.
Dua të evidentoj faktin që secili prej Samiteve ka theksuar nevojën për bashkëpunim në koherencë me më sfidat kyçe të rajonit. Së fundmi, Samiti i Londrës evidentoi se ne përballemi me sfida serioze në rritje që lidhen me çështjet e sigurisë.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe, bashkëpunimi dhe ripajtimi, lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe çështjet e migracionit dominuan natyrshëm këtë Samit dhe Deklaratat angazhuese politike të tij”, deklaroi Presidenti.

Në këtë drejtim, tha më tej Kreu i Shtetit është tepër e rëndësishme që çdo hap të ri që hedhim bashkërisht të shkojë kah të mundshmes, të dobishmes, konstruktives dhe që i shërben modelit të bashkëjetesës europiane në një rajon ende kompleks dhe të pashëruar.

“Së treti, e gjej po aq domethënës faktin që Procesi i Berlinit ecën në katër dimensione paralele duke bashkërenduar politikëbërjen vendimmarrëse me mbikqyrjen e shoqërisë civile, me mbështetjen e biznesit, dhe me dinamizmin rinor. Një shoqëri civile drejtpërdrejt e angazhuar, mbikqyrëse e rreptë, njëkohësisht përfaqësuese e interesit më të lartë publik e bën më dinamik, llogaridhënës dhe frytdhënës këtë proces në interes të të gjithë qytetarëve.
Unë ju inkurajoj ju dhe të gjithë aktorët joshtetërorë që përmes mekanizmave të Procesit të Berlinit të vijoni përpjekjet për afrimin e vendimmarrjes rajonale dhe europiane më pranë interesave dhe nevojave të qytetarëve.
Si shembull pozitiv, dua të veçoj vëmendjen që ju i keni kushtuar rinisë, duke i paraprirë nismave serioze që lidhen me njohjen më të afërt dhe pajtimin rajonal, edukimin profesional, programet e shkëmbimeve arsimore kështu me radhë. Edhe më shumë duhet bërë për të rritur mundësitë e punësimit veçanërisht për të ndaluar hemoragjinë njerëzore që po prek masivisht vendet tona.
Nuk e harroj dot mesazhin e Papa Françeskut gjatë takimit që patëm disa javë të kaluara, se para katër vitesh ai mbante mend shumë të rinjnë Tiranë, si rrallë në ndonjë vend tjetër dhe u lut që të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të mos pësojë ‘dimrin demografik të Europës’. Kjo besoj se është e vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë”, tha Presidenti.

Sipas tij, ndërthurja e zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit me një platformë të përbashkët rajonale për tërheqjen e investimeve të huaja mendoj se është qasja më e mirë për ta rrokur këtë sfidë.
“Për më tepër, suksesi i kësaj qasjeje është i garantuar kur mbështetet në proceset transformuese europiane dhe euroatlantike.
Në fund por jo nga rëndësia, dua të nënvizoj faktin se Procesi i Berlinit është konceptuar si një mekanizëm përshpejtues i procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Zgjerimi i BE-së dhe NATO-s në rajonin tonë mbeten projekte të pazëvendësueshme strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
‘Frika nga zgjerimi’, apo debati ‘thellim apo zgjerim’ kanë bashkëjetuar në të gjithë historinë e ekzistencës së Bashkimit Europian, por nuk janë bërë kurrë pengesë për zgjerimin e kufirit europian. Zgjerimi ka ndodhur, madje me vende që kanë popullsi shumëfish më të lartë se shumatorja e të gjithë Ballkanit Perëndimor së bashku.
Ndaj ky debat nuk fitohet as me kërcënime, as me mohime. Zgjerimi do të ndodhë kur vendet tona të jenë gati. Të zbatojnë reforma të guximshme dhe të vërteta, dhe të korrin rezultate bindëse, për qytetarët në radhë të parë, dhe për vendet anëtare që na mbështesin si partnerë në këtë proces.
Unë besoj se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë të gjitha mundësitë t’i çelin negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm, dhe duhet të përqëndrojmë akoma edhe më mirë të gjithë energjitë në zbatimin e reformave kyçe.
Po ashtu besoj se me ruajtjen e fokusit mbi objektivat strategjike dhe mbi axhendat e reformave, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i ka të gjitha mundësitë të avancojë më shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Të frymëzohemi nga filozofia e më të rinjve që kanë lindur në epokën e paqes që duan ‘gjithçka dhe tani’ por të mbetemi edhe realistë e me këmbë në tokë se ky vrapim kërkon shumë punë dhe vetëm bashkëpunim të dobishëm.”, përfundoi fjalën e tij Kreu i Shtetit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb