TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dhënë një mesazh të fortë mëngjesin e sotëm teksa nuk i kursen kritikat për maxhorancën dhe opozitën ndërsa të gjitha bashkitë në vend do kalojnë në duart e socialistëve.

Duke iu referuar 30 qershorit, Meta paralajmëron për rrezikon që ‘fitorja’ e maxhorancës dhe entuziasmi i opozitës sjellin për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kreu i Shtetit shkruan se ‘fitorje’ të tilla, duke iu referuar një termi të përdorur nga ish-diktatori Enver Hoxha, jo vetëm penalizojnë të ardhmen e vendit, duke parashikuar një ‘jo’ për negociatat më 18 tetor por edhe lënë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre qytetarët.

Sipas Metës, asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit vendor, i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të zgjedhurve të saj për administruar çdo pushtet.

POSTIMI I METËS
Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët
E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë.
Por edhe entuziazmi i liderëve të opozitës se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore.
“Fitorje” të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurt, por lënë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor.
Ndërkohë asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit vendor (pas atij qendror), i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të përzgjedhurve të saj për të administruar çdo pushtet, pasuri dhe pronë publike, në mënyrë arrogante dhe të pakontrolluar.
Viktimat e këtyre “fitorjeve” janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallime partiake.
Për integrimin as bëhet fjalë por mbetet vetëm të shpresojmë të mos na ndëshkojnë në institucionet aktuale, që merren me mbrojtjen e autonomisë vendore, demokracisë vendore dhe të drejtat e njeriut.

Meta Fb
Meta Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb