Në një konferencë me tone të ashpra, Kreu i Shtetit, Ilir Meta, sqaroi publikisht çfarë është grushti i shtetit.

Meta tha se grusht shteti mund të jetë kur opozita tenton të marrë pushtetin me forcë, dhune dhe armë, por edhe kur një pushtet kërkon të marrë në mënyrë antikushtetuese pushtetin e një institucioni tjetër legjitim.

Ndër të tjera, Meta tha se i ka paralajmëruar prej kohësh të gjithë, brenda dhe jashtë vendit, se Kushtetuta është vija e kuqe flakë dhe nuk mund të preket.

“Të mos e ngacmojnë Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, sepse pastaj legjitimitetin e merr populli. Grushti i shtetit ka disa forma, kur një opozitë përpiqet të marrë qeverinë me forcë e dhunë dhe mënyra të armatosura, por ka forma, kur një pushtet kërkon të marrë në mënyrë antikushtetuese pushtetin e një institucioni tjetër legjitim dhe në këtë rast kemi, në mënyrë antikushtetuese, rrëmbimin e kompetencave të Presidentit, për të pasur një gjykatë garantë të Kushtetutës, të balancuar, të pavarur, që është edhe gjyqtarja e probleme që ka shoqëria jonë, shteti ynë, institucionet tona.

Kush e garanton unitetin tonë kombëtar? Vetëm Kushtetuta. Ndaj dhe Presidenti e ka të qartë rolin e tij dhe i ka paralajmëruar të gjithë, brenda e jashtë vendit, partnerë seriozë, organizata mafioze, se Kushtetuta është vija e kuqe flakë”, deklaroi Presidenti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb