Kreu i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta gjatë një vizite në Kosovë tha se çështja e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj duhet të marrë fund sa më shpejt.

“Haradinaj nuk është qytetar serb, por kosovar dhe si i tillë simbol i qytetarëve shqiptarë në të gjithë botën. Kjo çështje duhet të marrë fund sa më shpejt. Arrestimi i tij ishte akt befasues dhe shokues” tha Meta.

Kreu i LSI-së gjithashtu tha se do t’i dërgojë shkresë homologes serbe mbi këtë çështje dhe shtoi se ka komunikuar me homologun francez për arrestimin e Haradinajt.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Meta u prit nga nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini si dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie. Meta shprehu pakënaqësitë e tij dhe solidaritetin pas arrestimit të Haradinajt nga autoritetet franceze pas urdhër-arrestit të dërguar nga Serbia për krime lufte.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb