Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit sot  nga Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve tona dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme dhe të vendosur që Presidenti Pahor dhe Sllovenia i kanë dhënë Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit europian.

Duke e konsideruar Slloveninë një partnere të rëndësishme rajonale dhe avokate të paepur të integrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, Presidenti Meta u shpreh: “Ju faleminderit shumë Zoti President! Ishte një kënaqësi e madhe për mua që të isha sot në Ljubljanë, i mikpritur nga Presidenti i Sllovenisë, miku im shumë i mirë, Barut Pahor në këtë takim lamtumire përpara përmbylljes së mandatit tim si President i Shqipërisë në fund të këtij muaji!

Dëshiroja ta falënderoj Presidentin Pahor për mbështetjen e tij të madhe, si dhe të Sllovenisë po ashtu, ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për përpjekjet e tij e të Sllovenisë për të zgjeruar integrimin e Ballkanit Perëndimor!

Ne ramë dakord plotësisht se duhet të vazhdojmë të bëjmë më të mirën. Të vazhdojmë me kryerjen e reformave tona të brendshme, të tregojmë më tepër rezultate, të japim më shumë. Shprehëm gjithashtu bindjen se edhe Bashkimi Europian do ta kuptojë më mirë rëndësinë gjeo-politike të Ballkanit Perëndimor për BE-në dhe Europën, në veçanti në ditët e sotme.

Kjo është arsyeja përse zgjerimi duhet të vazhdojë.

Kjo është arsyeja përse kjo duhet të konkretizohet.

Kjo është arsyeja përse Presidenti Pahor dhe Sllovenia përkrahin fort hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënien e statusit të vendit kandidat Bosnjës dhe Hercegovinës, liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën.

Po ashtu, kjo është arsyeja përse ne e vlerësuam vendimin e fundit të BE-së për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, sepse është thelbësore që t’i tregohet mbarë botës dhe në veçanti të gjitha vendeve të kontinentit tonë se zgjerimi po vazhdon, se zgjerimi po përparon dhe se këto reforma që po ndërmarrim me qëllim përafrimin ndaj Bashkimit Europian, do të vazhdojnë të luajnë rolin e forcës shtytëse për shoqëritë tona, të cilat jo vetëm do të ndihmojnë vendet tona që të përmirësojnë standardet e demokracisë, sundimit të shtetit të së drejtës, të ekonomisë si dhe standardet shoqërore, por që gjithashtu të përforcojnë qëndrueshmërinë dhe paqen në rajonin tonë dhe në kontinentin tonë.

Mbështetemi shumë te Sllovenia edhe në të ardhmen dhe shpresoj e uroj që Samiti i ardhshëm i Brdo-Brijunit që do të mbahet këtu, do t’i japë një shtysë të re zgjerimit të Bashkimit Europian dhe aspiratave të vendeve tona për një të ardhme europiane!”

MESAZHI I METES
????? Kënaqësi e madhe të mikpritesha sot në Ljubljanë, nga Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
E falenderova për mbështetjen e madhe dhe të palëkundur të Tij dhe të Sllovenisë, për hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, si dhe për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Reformat e vërteta dhe të vendosura që duhen ndërmarrë me qëllim përafrimin me BE, do të vazhdojnë të luajnë rolin e forcës kryesore shtytëse për shoqëritë tona, për të përmirësuar standardet e demokracisë, sundimit të shtetit të së drejtës, llogaridhënies në çdo nivel dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë dhe standardeve shoqërore.
Mbështetemi shumë tek Sllovenia dhe vlerësojmë se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë meritojnë të forcohen dhe zhvillohen më tej.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: