TIRANE- Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ndërsa ka deklaruar se Shqipëria do ndihmojë Kosovën në proçesin e integrimit por edhe në mbështetje të proceseve më të gjera rajonale.

Në lidhje me problemin e migrimit të qytetarëve kosovarë, Meta tha se ata po mashtrohen nga një rrjet trafikantësh që po përfitojnë shuma të mëdha. Ndërsa Haradinaj lëshoi edhe njëherë thirrjen për të mos e braktisur vendin.

“Ishte kënaqësi për të takuar sot liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj dhe për të shkëmbyer me të mendime rreth zhvillimeve në Kosovë, Shqipëri dhe në rajonin tonë, njëkohësisht edhe për t’u njohur më nga afër me angazhimet e opozitës në Kosovë. Ky takim, i cili vjen pas vizitës së delegacionit të Parlamentit të Kosovës është në vijim të kontakteve, komunikimit tonë të vazhdueshëm me të gjithë aktorët dhe faktorët e politikës në Kosovë, me qëllim inkurajimin e gjithë atyre proceseve të dialogut të brendshëm në radhë të parë dhe bashkëpunimit që ndihmojnë Kosovën drejt procesit të integrimit evropian por edhe në mbështetje të proceseve më të gjera rajonale ku Kosova ka një rol mjaft të rëndësishëm për të luajtur dhe ku jam i bindur që edhe opozita në Kosovë ndjen përgjegjësinë e saj për ta luajtur këtë rol në mënyrë sa më konstruktive”, u shpreh Meta.

“Është një nder të takohem me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, mikun tim Ilir Meta. Është një traditë e komunikimit, çdo herë i shfrytëzojmë këto takime për të komunikuar dhe për të shkëmbyer ide. Kuptohet që ne i gëzohemi lidhjeve më të forta mes Kosovës deh Shqipërisë ashtu si i gëzohemi lidhjeve më të forta të gjithë shqiptarëve dhe në këtë bazë edhe ky takim e ka këtë kontribut”, tha Haradinaj në takim.

Pyetje nga gazetarët
Doja t’iu pyesja për një shqetësim mbarëkombëtar tashmë, emigrimi i shqiptarëve të Kosovës, që çdo ditë që kalon dhe ka më pak banorë, ndërkohë që vendet e BE-së janë të vendosura për të mos i dhënë azil politik kosovarëve. Si e shikoni ju, cilat janë motive apo shkaqet dhe si mund të tejkalohet kjo situatë? Si edhe shikon edhe shteti shqiptar këtë problematikë?

Ilir Meta: Besoj se vështirësitë me të cilat ndeshen qytetarët e Kosovës nuk mund ta justifikojnë këtë zhvendosje le të themi më mirë në mënyrë masive, vlerësoj se në çdo rast të vetmit që përfitojnë janë trafikantët, pasi bëhet fjalë për një biznes të jashtëzakonshëm, i cili po sjell jo vetëm largimin e qytetarëve në mënyrë masive nga Kosova, por edhe po i dëmton ata ekonomikisht në mënyrë mjaft serioze, pasi kanë rënë pre për vlerësimin tim të një rrjetë trafikantësh që përfitojnë shuma marramendëse nga ky manipulim që po u bëhet qytetarëve të Kosovës, të cilët në një shumë të shpejtë do të jenë të detyruar të kthehen në Kosovë, por pasi të kenë pësuar humbje të rëndësishme dhe zhgënjime të mëdha. Kështu që është e rëndësishme për t’i dhënë më shumë perspektivë Kosovës, në këtë drejtim natyrisht qeveria ka përgjegjësitë kryesore por besoj se edhe një bashkëpunim dhe një dialog mes qeverisë dhe opozitës për çështjet më të rëndësishme që japin një perspektivë për një jetë më të mirë për qytetarët e
Kosovës është e domosdoshme ashtu sikurse besoj që edhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndihmonte për të shmangur dhe dekurajuar këtë lloj tundimi, i cili ka edhe arsye psikologjike përveç atyre ekonomike dhe sociale.

Ramush Haradinaj: Ashtu siç u tha ndoshta janë shumë faktorë, por kjo nuk është një gjë e mirë që po i ndodh Kosovës. Thirrja përsëritet, që të mos e braktisim vendin. Vërtetë që njerëzit kanë shumë arsye pse mendojnë për t’u larguar, por duhet të punojmë që t’i gjejmë zgjidhet në Kosovë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: