Estonia rreshtohet ndër vendet që mbështesin Shqipërinë në proceset integruese drejt Bashkimit Europian. Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka konfirmuar sërish qëndrimin e palëkundur të vendit balltik në drejtim të përafrimit të vendit tonë në familjen europiane gjatë një takimi të zhvilluar me Kryeministrin e Estonisë, Juri Ratas.

“Një takim miqësor, mjaft i frytshëm dhe konstruktiv me Kryeministrin e Estonisë, z. Juri Ratas. Shqipëria dhe Estonia kanë mundësi të jashtëzakonshme për të forcuar marrëdhëniet e shkëlqyera, veçanërisht bashkëpunimin ekonomiko-tregtar. Kryeministri Ratas më shprehu mirënjohjen për kontributin e vendit tonë në forcimin e sigurisë në rajonin e Balltikut, në kuadër të NATO-s, në misionin ushtarak në Letoninë fqinje,” shprehet Presidenti Meta.

Ndër pikat e tjera të bashkëpunimit Presidenti veçon edhe fushën e teknologjisë ku shprehet se shembulli i shkëlqyer i Estonisë mund t’i shërbejë vendit tonë për të përparuar akoma më shumë në këto fusha.

“Shqipëria duhet të përfitojë nga modeli i shkëlqyer i E-Estonia në inovacion, start-up dhe e-services. Një fushë e bashkëpunimit është edhe ajo e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike, ku përvoja e Estonisë do të jetë një mbështetje e shkëlqyer në kuadër të sfidave të përbashkëta që ndajmë si dy vende anëtare të NATO-s”, shprehet presidenti Ilir Meta, i cili ka falenderuar kreun e qeverisë estoneze edhe për mbështetjen e vyer në rrugën drejt integrimin europian të vendit tonë.

“E falënderova për mbështetjen konstante që Estonia ka dhënë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Kemi besim tek vendet balltike për vendimin e 18 tetorit!”, deklaroi kreu i shtetit, Ilir Meta.

Meta ndodhet për një vizitë zyrtare në Estoni, ku është pritur nga Presidentja e Republikës së Estonisë, Sh.S.Znj Kersti Kaljulaid, si dhe është takuar edhe me Presidentin e Parlamentit të Estonisë, Henn Polluaas.

Meta Me Km E Estonise
Meta Me Km E Estonise

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb