SHBA- Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i shoqëruar nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade u prit në një takim nga Drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), Robert Benjamin.

Në këtë takimi u theksua kontributi i rëndësishëm që NDI-ja luan në Shqipëri dhe bashkëpunimin midis Kuvendit të Shqipërisë dhe NDI-së në fusha të rëndësishme, siç janë transparenca dhe funksionimi i Parlamentit, bashkëpunimi i shkëlqyer me administratën e Kuvendit dhe shkëmbimi i eksperiencave me shërbimet legjislative dhe përmirësimin e funksionimit të tyre.

Meta theksoi rëndësinë që ka roli dhe kontributi i NDI-së në përmirësimin e punës së Parlamentit përmes trajnimeve të administratës, dhe përmirësimit të kuadrit legjislativ. “NDI-ja ka luajtur një rol të veçantë edhe në rritjen e bashkëpunimit të parlamenteve të vendeve të rajonit”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu vlerësimin e tij dhe për kontributin që NDI-ja ka dhënë veçanërisht përmes projektit të transparencës së Parlamentit ndaj publikut, ku një dokument i rëndësishëm është projekti i hapjes së Parlamentit.

Benjamin vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe me shërbimet e tij dhe shprehu angazhimin e organizatës që përfaqëson për të bashkëpunuar më tej dhe çuar përpara disa procese të rëndësishme, siç janë përfaqësimi i grave në politike dhe Kuvend, rritja e rolit të Parlamentit në aspektin e kontrollit, që duhet të luajë ndaj ekzekutivit, kodi i etikës dhe sjelljes së deputetit dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve, veçanërisht shërbimit legjislativ, si dhe angazhimi i të rinjve në politikë.

Më tej, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi situatën në rajon, krizën e refugjatëve dhe nevojën për një bashkëpunim më të madh rajonal për përballimin e këtyre sfidave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb