ITALI- Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i ka shprehur mirënjohje Austrisë për mbështetjen e ofruar në kuadër të integrimit evropian. Në vijim të Konferencës së Kryeparlamentarëve të vendeve të BE që po zhvillohet në Romë, Meta zhvilloi një takim të veçantë me Presidenten e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Austrisë, Sonia Zwazl.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta e tradicionale mes Shqipërisë dhe Austrisë duke ndarë bindjen se shkëmbimet ndërparlamentare duhen intensifikuar më tej në shërbim të bashkëpunimit dypalësh.

Meta u ndal tek potencialet e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushat e investimeve në energji, shëndetësi dhe në drejtim të arsimit profesional.

Nga ana e saj Zwazl u shpreh se në këto momente të vështira ekonomike për tërë Evropën, arsimi profesional dhe trajnimi i të rinjve për tregun real të punës është një prioritet i paneglizhueshëm, dhe në këtë kontekst, Austria është e gatshme të ofrojë asistencën e saj.

(e.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb