Kur nuk na ndajnë pak ditë nga publikimi i raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias në lidhje me veprimet e presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi pohon se kreu i shtetit nuk ka shkelur ligjin.

Teksa komenton raportin paraprak të “Venecias’ ku thuhej se Meta kishte ‘tejkaluar’ kompetencat kushtetuese, Halimi tha se reporterët nuk flisnin në asnjë moment për shkelje nenesh. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Halimi, në cilësinë edhe të juristit sqaroi termin ‘tejkalim’, ndërsa nënvizoi disa herë faktin se në raport nuk thuhet në asnjë çast se ka shkelur ligjin.

“5 reporterët kanë bërë një draft-opinion, i cili më pas duhet të kalojë në Komisionin e Venecias ku i nënshtrohet një rishqyrtimi. Pas datës 11 tetor do të kemi një raport të Komisionit të Venecias. Di që ekspertë të presidentit janë duke përgatitur raportin me qasjet që ata kanë. Reporterët nuk thonë nëse Meta ka shkelur një nen të Kushtetutës. Presidenti betohet kur merr detyrën se nuk do të shkelë Kushtetutën. Në draftin e shpërndarë nuk kam gjetur ndonjë nen të citohet se; “ka shkelje nga presidenti”. Në këtë draft nuk gjendet, por ka një term që është përkthyer; ‘Tejkalim’. Por si term nuk është pjesë e Kushtetutës.

Shkelje do të thotë të dhunosh një nen. “Tejkalim” do të thotë të tejkalosh tek detyra e dikujt tjetër. Ligji thotë; “Presidenti nuk duhet të shkarkohet nëse shkelja nuk është e rëndë”. Ka një qasje të ekspertëve, që e përdorin termin ‘Tejkalim’ për nenin 92, për të drejtën e presidentit për të anuluar diçka. Analiza që bëjnë ekspertët në draft, është se në këtë nen nuk është thënë e drejta e presidentit për ‘actus contrarius’. Reporterët e ‘Venecias’ nuk duhet të merren me të drejtën për t’u zgjedhur, pasi nuk është as në aktin e presidentit. E drejta për t’u zgjedhur është e qytetarëve. Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve, ka të bëjë me të drejtat e qytetarëve për të zgjedhur. Komisioni i Venecias nuk ka autoritetin për t’u shprehur lidhur me zgjedhjet. Atë e ka OSBE-ODHIR”, pohoi Halmi.

Kujtojmë se më 11 tetor pritet të dalë edhe raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias për presidentin Meta. Si përfaqësues nga maxhoranca, ku do të mbrojë kërkesën e PS-së për shkarkimin e Metës, do të jetë kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb