TIRANË

Në një tjetër konferencë urgjente nga Presidenca, Kreu i Shtetit, Ilir Meta, iu drejtua me pesë pyetje drejtuesit të Prokruorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, për ngjarjen e ndodhur më 21 janar, ku u vra me armë zjarri Pjerin Xhuvani.

Mes të tjerash, Meta pyet kryeprokurorin Ajazi se pse është vonuar administrimi i materialit kallëzues të PD dhe pse kallëzuesi Gazment Bardhi është thirrur për t’u paraqitur vetëm në datën 30 prill, pesë ditë pas zgjedhjeve.

Deklarata e Metës:
Në vijim të kërkesave dhe pyetjeve publike dhe në mungesë te reagimit institucional dhe në kohë të organeve ligj zbatuese për hetimin e ngjarjes tragjike, që ndodhi tre ditë më parë në Elbasan, ngjarje kjo që meriton të zbardhet urgjentisht, objektivisht dhe jashtë ndikimeve politike, si President i Republikës kam 5 pyetje të thjeshta, për Prokurorinë Elbasan dhe Drejtuesin e saj zotin Kreshnik Ajazi:

1. Zoti Prokuror i Rrethit Elbasan, përse është vonuar administrimi i materialit kallëzues të partisë Demokratike dërguar për kompetencë prej SPAK?
Përse zoti Gazmend Bardhi si Kallëzues është thirrur për tu paraqitur vetëm në datë 30 prill 2021, pra 5-ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të nesërme ?

2. Si mund të ndihmojnë këto veprime hetimore, kaq të ngadalta me vetëdije, parandalimin e krimit zgjedhor në Elbasan?

3. Përse duhet që zoti Gazmend Bardhi të paraqitet në datë 30 prill (5-ditë mbas zgjedhjeve) dhe jo urgjentisht?

4. Përse duhet zoti Ajazi, si Drejtues i Prokurorisë Elbasan, kjo vonës kaq e madhe dhe konsiston e drejtpërdrejtë për ju: A kandidon për deputet në këto zgjedhje si kandidat i Partisë Socialiste në qarkun Elbasan, vëllai juaj z. Besion Gëzim Ajazi? A ndiheni Ju në përmbushjen e detyrës suaj në konflikt të pastër interesi lidhur me këtë fakt? Dhe nëse po a keni vlerësuar ndonjëherë të dorë hiqeni, apo transferoheni nga drejtimi i Prokurorisë në Elbasan ?

5. Zotërinj prokurorë të Elbasanit, a ju vret ndopak ndërgjegjja që vetëm 1-ditë pas njoftimit tuaj për t`u paraqitur për sqarime nga kallëzuesit në datën 30 prill mbas zgjedhjeve, ndodhi përplasja me armë që përgjaku qytetin e Elbasanit, pra ndodhi në 21 prill?

Këto pyetje duhet të mbahen shënim nga Prokurori i Përgjithshëm, Prokuroria e Posaçme (SPAK), Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Nga ambasadat e vendeve anëtarë të BE-së, që mezi presin të raportojnë të hënën suksesin e zgjedhjeve në Shqipëri që të na çelen negociatat e anëtarësimit.
Nga OSBE dhe gjithë organizmat ndërkombëtarë, dhe gjithë nga vëzhguesit që kanë mbërritur dhe i gjithë Trupi Diplomatik në Tiranë, që është i angazhuar për ruajtjen e integritetit të këtij procesi zgjedhor.

E vërteta mbi to duhet të zbardhet tani, në orët në vijim, dhe në minutat në vijim!

Dhe jo më 30 prill, kur keni lënë takimin me kallëzuesin, zoti Gazmend Bardhin!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb