Presidenti Ilir Meta ka uruar publikisht gazetaren e ‘News24’ Klodiana Lala për çmimin që iu akordua sot nga Bashkimi Europian, me motivacionin si gazetarja më e mirë investigative.

Përmes një mesazhi, kreu i shtetit teksa përgëzoi Lalën për punën për të hedhur dritë mbi dosjet e Durrësit, Shijakut, Dibrës, theksoi se ky fenomen do të marrë fund njëherë e përgjithmonë në 25 prill 2021.

MESAZHI I METËS
Urime të përzemërta gazetares së mirënjohur, Klodiana Lala, për çmimin e parë të fituar në konkursin e BE-së për gazetarinë investigative, për shkrimin: “Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave”.
? https://www.reporter.al/pergjimet-zbulojne-rolin-e…/
E përgëzoj Klodianën për punën, përkushtimin dhe kurajon e treguar, jo vetëm për të hedhur dritë mbi dosjet e Durrësit, Shijakut, Dibrës, Kavajës e Lezhës, dhe në tërësi mbi fenomenin kanceroz të blerjes së votave që do të marrë fund njëherë e përgjithmonë në 25 prill 2021.
Mirënjohje për të gjithë angazhimin e saj si misionare e fjalës së lirë, në funksion të informimit të drejtë e të paanshëm, gjithmonë në mbrojtje të interesit publik.
Gazetaria shqiptare ka sot më shumë nevojë se kurrë për modelin e gazetarëve të vërtetë dhe kurajozë si Klodiana Lala!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb