TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar Kryeministren e Mbretërisë së Danimarkës, Mette Frederiksen, e cila u zgjodh në krye të qeverisë daneze. Kreu i Shtetit shpreh bindjen se përvoja e kryeministres daneze do të ngrejë në një nivel  më të lartë marrdhëdhëniet mes Shqipërisë dhe Danimarkës.

Mesazhi i Metës:

E nderuar Zonja Kryeministre,Me rastin e zgjedhjes Suaj në postin e lartë të Kryeministres së Mbretërisë së Danimarkës, me kënaqësi të veçantë dëshiroj t’Ju dërgoj urimet më të përzemërta për përmbushjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme!

Shpreh besimin e plotë se përvoja Juaj e madhe por edhe raporti i veçantë i anëtarëve të kabinetit tuaj me vendin tim do të ngrejë në një nivel edhe më të lartë marrëdhëniet shumë-planëshe midis Shqipërisë dhe Danimarkës në interesin më të mirë të përbashkët.

Kam bindjen, Zonja Kryeministre, se nën drejtimin Tuaj, Qeveria e Mbretërisë së Danimarkës do të vijojë mbështetjen e paçmuar në rrugëtimin e vendit tim drejt Bashkimit Evropian.

Duke Ju përgëzuar sërish për këtë detyrë shumë të rëndësishme, si dhe duke Ju siguruar për miqësinë e thellë të popullit shqiptar dhe timin personal për popullin Tuaj, Ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Kryeministre, përshëndetjet e mia më të përzemërta!

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb