Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka përcjellë një mesazh urimi Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejcinovic Buric, për postin e saj të ri. Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit Shqiptar shpreh besimin se Buric me eksperiencën e saj do t’i japë një dinamikë të re punës së KiE.

Mesazhi i Metës:

E nderuar zonja Zëvendëskryeministre,

Zgjedhja Juaj në postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, më jep kënaqësinë e veçantë që t’Ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta për përmbushjen me sukses të angazhimeve në këtë detyrë të lartë.

Shpreh besimin se me eksperiencën dhe kontributin Tuaj do t’i jepni një dinamikë të re punës në Këshillin e Evropës, me synim forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe sigurimin e të drejtave sociale, kaq thelbësore për forcimin e një shoqërie demokratike.

Dëshiroj, me këtë rast, të shpreh vlerësimin e lartë për bashkëpunimin e suksesshëm midis Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës, si dhe t’Ju siguroj për angazhimin tim dhe të vendit tim në vazhdimësinë e mëtejshme të këtij bashkëpunimi, në vijim të përmbushjes së reformave të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Duke shprehur kënaqësinë e veçantë që kjo organizatë shumë e rëndësishme evropiane do të drejtohet nga një përfaqësuese e një vendi mik dhe fqinj, Ju lutem pranoni, e nderuar zonja Zëvendëskryeministre, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb