Preisdenti Ilir Meta ka vizituar sot Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla” në Sarandë, prej ku ka takuar shumë fëmijë, me të cilët ka biseduar për ëndrrat e tyre shumëngjyrshe.

Meta shkruan në “facebook” se nuk “duhet t’i ndalim përpjekjet e përbashkëta për integrimin e plotë të jetimëve në shoqëri, që të rriten të shëndetshëm, të edukuar e të arsimuar, për të gëzuar të sotmen e sigurt dhe të ardhmen e lumtur, në një Shqipëri europiane”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se ky është një nga institucionet model dhe më të hershme të arsimit dhe edukimit, në Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë.

“Në këtë Shtëpi, fëmijët gjetën prindër të tjerë, vërtet pa lidhje gjaku me ta, por që në shpirtin e tyre kishin dashuri dhe dhembshuri gjer në dhimbje për këta vocërrakë.

Janë me qindra fëmijët, që u rritën dhe u edukuan nga dhjetëra edukatorë e mësues në mjediset e kësaj shkolle. Shtëpia e Fëmijës ngelet, deri sot, familja më e madhe në qytet dhe çdo sarandjot krenohet me të dhe ndihet pjesëtar i kësaj familje.

Në themel të punës së Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Sarandë është shkruar një histori e gjatë e përpjekjeve dhe sakrificave njerëzore, plot përkushtim dhe humanizëm nga shumë gjenerata drejtuesish, edukatorësh e punonjësish të përkushtuar, ndaj edukimit dhe mirërritjes së fëmijëve pa kujdesin prindëror.

Në sajë të dedikimit, dashurisë e punës së palodhur të personelit të saj, u rritën dhe u edukuan fëmijë, që, sot, janë qytetarë model, profesionistë të zotë dhe familjarë të përkushtuar.

Sot, ne do të vlerësojmë vetëm disa nga edukatorët dhe ish-banorët e Shtëpisë së Fëmijës.

Por nga ky personel i përkushtuar ndër vite, dhe nga qindra fëmijë, që u rritën në këtë shtëpi dhe që, sot janë bërë prindër e kanë dhënë e japin një kontribut të madh në shoqëri, dëshiroj të përmend disa prej tyre:
Sofie Kushi, Afro Kareco, Kristina Kumiu, Lumturi Xhani, Vera Diamanti, Nekim Xhaferi, Miranda Koçi, Leonora Koça, Ilir Çumani, Kozeta Katundi, Tatjana Sheshmini e shumë të tjerë.

Dua të përmend dhe një njeri të veçantë Ilir Çumanin, me të cilin bashkëpunoi prej një kohe shumë të gjatë në të gjitha pozicionet që kam mbajtur dhe më përpara, për të mbështetur fëmijët të cilët kanë nevojë për kujdes prindëror.

Dhe i cili gjithmonë flet me shumë dashuri dhe nostalgji e me shumë mirënjohje për këtë shtëpi ku edhe ai vetë është rritur dhe është edukuar.

Besojë se, vlerësimi i sotëm i disa prej ish-punonjësve dhe nxënësve të spikatur të këtij institucioni, është një promovim dhe inkurajim i modeleve që duhen ndjekin të gjithë dhe sidomos nga brezat më të rinj për sa i takon suksesit të tyre në jetë.

Vlerësimin e parë e kam për zotin Vangjel Pulla, emri i të cilit është i lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e institucionit të Shtëpisë së Fëmijës Shkollorë, Sarandë. Ai drejtoi me pasion e përkushtim, me organizim të përsosur dhe me shumë dashuri për mbi 13 vite.

Si një prind i dytë i fëmijëve, Vangjel Pulla punoi me të gjitha energjitë dhe format për të ngritur standardin e jetesës, nivelin e arsimimit, socializmit dhe integrimit të fëmijëve.

Zoti Vangjel Pulla ka meritën e madhe të vendosjes së marrëdhënieve dhe forcimit të lidhjeve të banorëve të Shtëpisë së Fëmijëve me shkollën dhe me qytetin dhe familjet sarandjote.

Një vlerësim i merituar vjen për dy edukatore dhe punonjëse të Shtëpisë së Fëmijës, zonjës Anastasia Koloi dhe zonjën Haxhire Xhama.

Zonja Anastasia Koloi iu dedikua me pasion e dashuri, për plot 23 vjet, fëmijëve pa kujdes prindëror. Ajo ka dhënë një kontribut të çmuar si në edukimin, ashtu edhe në rritjen e kujdesshme të fëmijëve, duke u bërë një nënë e vërtetë, e dashur dhe e dhembshur për të gjithë fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës.

Zonja Haxhire Xhama ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, për 17 vjet, si ndihmësmjeke dhe punonjëse e palodhur në ndihmë të fëmijëve. Përkujdesja e saj e vazhdueshme, për mirëqenien dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve pa kujdesin prindëror, ka sjellë rritjen e tyre të shëndetshme dhe plot me dashuri.

Dy zonjat e tjera, që vlerësohen sot, zonja Natasha Sami dhe zonja Sofi Mingo, janë shembulli më i mirë, se si fëmijët e rritur në këtë Shtëpi Fëmije, janë mbështetur vazhdimisht në zhvillimin e aftësive të tyre, qofshin ato muzikore, shkencore apo sportive.

Zonja Natasha Sami ka qenë një nga rekordmenet më të shquara të notit, të ekipit të ‘Butrintit’ dhe të Ekipit Kombëtar. Për vite të tëra ka qenë zotëruese e shumë rekordeve kombëtare, në garat e stilit të lirë, ka vendosur disa rekorde në garat ndërkombëtare.

Luftarake, këmbëngulëse dhe pa asnjë lëshim ndaj rivalëve mbahet mend për rastin, kur edhe me dorë të dëmtuar e të fashuar garoi dhe u shpall kampione.

Zonja Sofi Mingo është një tjetër kampione noti, që është dalluar, si me ekipin e ‘Butrintit’ edhe me Ekipin Kombëtar, duke vendosur rekorde në garat e stilit të lirë.
Edhe pse shtatvogël, krahasuar me notaret e tjera, ajo kishte një armë të fuqishme, notonte shumë bukur.

Gjatë gjithë karrierës së saj është karakterizuar nga serioziteti dhe këmbëngulja, duke u bërë shembull frymëzimi, bashkë me shoqet e tjera sportiste, për shumë shokë e shoqe të saj të Shtëpisë së Fëmijës.

Dëshiroj ta mbyll përshëndetjen time duke falënderuar të gjithë edukatorët dhe stafin e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë, Sarandë për devocionin, humanizmin dhe përkushtimin e tyre ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror!

Po kështu dua t’i uroj të gjithë fëmijët dhe t’i falënderoj për shfaqen që ata dhanë me shumë dashuri dhe përkushtim dhe t’ju them se të gjithë ata duhet t’i shfrytëzojnë hapësirat dhe mundësitë për të realizuar ëndrrat e tyre dhe të arrijnë të shpalosin aftësitë dhe gjithë potencialin duke u bërë jo vetëm pjesë aktive e shoqërisë sonë, por duke u bërë edhe shembuj të protagonizmit dhe të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës”, tha Meta.

VLERESIMET

Me këtë rast Kreu i Shtetit i akordoi Titullin e lartë “Kalorës i Urdhër të Flamurit” (pas vdekjes) zotit Vangjel Pulla “Me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm, organizimin dhe punën pasionante e të palodhur si drejtues i Shtëpisë së Fëmijëve, Sarandë. Me vlerësim për dedikimin e vazhdueshëm në edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror, si dhe për kontributin e qenësishëm në vendosjen e marrëdhënieve dhe forcimin e lidhjeve të banorëve të Shtëpisë së Fëmijëve me shkollën, qytetin dhe familjet sarandjote”.

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekoruan: zonja Sofi Mingo “Për kontributin e vyer si ndihmësmjeke dhe punonjëse e palodhur në ofrimin e kushteve optimale të higjienës dhe shërbimit mjekësor për fëmijët pa kujdes prindëror. Me mirënjohje për sakrificat e mëdha, në përmbushjen me ndërgjegje të të gjitha detyrave e përgjegjësive të ngarkuara, në përkujdesjen e vazhdueshme të mirëqenies dhe mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve, duke u bërë një model dhe shembull i lartë frymëzimi, përkushtimi dhe sakrifice njerëzore”

si dhe zonja Natasha Sami-Lako “Për kontributet e çmuara dhe arritjen e rezultateve të shkëlqyera si rekordmene e notit shqiptar, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke e çuar përpara këtë sport në nivele cilësore e duke na dhuruar dhjetëra rekorde kombëtare. Për shembullin frymëzues dhënë gjithë bashkëmoshatarëve dhe miqve të saj, të rritur së bashku në Shtëpinë e Fëmijës, Sarandë dhe për mesazhin inkurajues dhe optimizmin, se vetëm me vullnet dhe me pasion, të gjitha pengesat janë të kapërcyeshme, pavarësisht vështirësive që të sjell jeta”.

Me Titullin “Naim Frashëri” u vlerësua zonja Anastasia Koloi “Për kontributin e çmuar dhe rezultatet e larta në fushën e pedagogjisë, si dhe për punën e palodhur e të vazhdueshme për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror të Shtëpisë së Fëmijës shkollore në qytetin e Sarandës. Me mirënjohje për dedikimin e saj, duke u bërë model dhe shembull i lartë frymëzimi, për të gjithë kolegët, si një nënë e vërtetë, e dashur dhe e dhembshur, për fëmijët pa kujdes prindëror.”

si dhe zonja Haxhire Xhama “Për kontributin e vyer si ndihmësmjeke dhe punonjëse e palodhur në ofrimin e kushteve optimale të higjienës dhe shërbimit mjekësor për fëmijët pa kujdes prindëror. Me mirënjohje për sakrificat e mëdha, në përmbushjen me ndërgjegje të të gjitha detyrave e përgjegjësive të ngarkuara, në përkujdesjen e vazhdueshme të mirëqenies dhe mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve, duke u bërë një model dhe shembull i lartë frymëzimi, përkushtimi dhe sakrifice njerëzore”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb