Presidenti i Republikës, Iir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne dy mjekët e shquar kirurgë: krijuesin e shkollës së kirurgjisë shqiptare, Prof. Petro Cani si dhe themeluesin e Shërbimit të Kardiokirurgjisë Shqiptare, Prof. Petrit Gaçe me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Kreu i Shtetit dekoroi “babain e kirurgjisë shqiptare”, Prof. Petro Cani (pas vdekjes), me motivacionin: “Me vlerësim për kontributin e shquar në fushën e mjekësisë, që nga vendosja e themeleve të kirurgjisë e deri në përgatitjen e kirurgëve të parë në Shqipëri. Me mirënjohje për humanizmin e jashtëzakonshëm dhe gjurmët e pashlyera, që ka lënë në historinë e mjekësisë sonë, si kirurg i talentuar dhe pedagog i shkëlqyer”.

Ndërsa Prof.Petrit Gaçe u çmua (pas vdekjes) nga Presidenti Meta, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë për kontributin e shquar në fushën e mjekësisë, si themeluesi i kardiokirurgjisë shqiptare e deri në formimin profesional të kirurgëve e kardiokirurgëve në Shqipëri. Me mirënjohje të thellë për humanizmin e jashtëzakonshëm dhe gjurmët e pashlyera që ka lënë në historinë e mjekësisë sonë, si kirurg i talentuar e novator dhe pedagog i jashtëzakonshëm”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se dy mjekët janë humanistë të jashtëzakonshëm, që kanë një kontribut të vyer për zhvillimin cilësor të mjekësisë shqiptare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

MESAZHI I PRESIDENTIT META
“Është kënaqësi e madhe për mua të jemi sot së bashku, për të nderuar dy nga korifejtë e mjekësisë shqiptare, Prof. Petro Cani dhe Prof. Petrit Gaçe.

Ky vlerësim vjen, jo vetëm për kontributin e jashtëzakonshëm dhe historik, që këta dy profesorë kanë dhënë për mjekësinë shqiptare, por edhe për humanizmin, patriotizmin, dedikimin dhe dashurinë e treguar ndaj pacientëve të tyre dhe ndaj vendit.

Falënderoj në veçanti Senatin Akademik të Universitetit të Mjekësisë, për propozimet mjaft të gjetura.

Jeta dhe karriera e të dy profesorëve të nderuar ka disa pika të rëndësishme të përbashkëta takimi. Ajo ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me bisturnë dhe sallën e operacionit, duke i konsideruar respektivisht që të dy, Prof. Petro Cani si ‘Babai i kirurgjisë shqiptare” dhe Prof. Petrit Gaçe si ‘Themeluesi i kirurgjisë kardiovaskulare’.

Prof. Petro Cani është një figurë e ndritur dhe humane, që i dedikoi gjithë jetën e tij shkencës së mjekësisë, duke u bërë i pari kirurg në Shqipëri me titullin ‘Profesor’, në vitin 1958.

Shpirti i tij guximtar, novator dhe kërkimtar doli në pah, që në rininë e tij, kur la studimet për t’u bashkuar me partizanët, duke u bërë ‘mjeku i luftës’ dhe duke u kthyer në një prej kirurgëve më të shquar të saj.

Akti i tij i guximshëm, i prerjes së këmbëve të ngrira të një partizani, me sharrë të zakonshme, është një nga simbolikat më të fuqishme të sakrificave të Luftës sonë Nacional-Çlirimtare.

Prof. Cani e lindi kirurgjinë shqiptare në male për ta zbritur atë, më vonë, në pavione dhe salla operacioni.

Për 33 vjet rresht, Prof. Cani udhëhoqi kirurgjinë shqiptare, duke tregura një vetmohim të pashoq dhe duke u shndërruar në një personalitet, në një simbol të mjekësisë shqiptare, së cilës i dha identitetin, lavdinë dhe krenarinë.

Ai krijoi shkollën e kirurgjisë shqiptare duke u bërë nga pedagogët e parë të institutit të lartë të mjekësisë dhe duke formuar breza të tërë mjekësh e kirurgësh.

Respekti dhe vlerësimi për figurën dhe kontributin për mjekësinë dhe veçanërisht, për kirurgjinë shqiptare mbetet i pandryshuar, përkundrazi çmohet gjithmonë edhe më shumë.

Lumturia e Prof. Canit ishte të shpëtonte jetën e pacientëve, duke mos e lejuar vdekjen t’i merrte njerëzit para kohe.

Prof. Cani nuk ishte thjesht një kirurg. Ai ia dedikoi jetën kirurgjisë. Me vullnetin e tij, talentin dhe aftësinë e spikatur, ai i dha kirurgjisë shqiptare emrin e tij, duke u kthyer në “babain” e saj.

Dashuria e tij e pakufi për kirurgjinë do të mbetet përjetë e shprehur në fjalët e tij ‘Kur të vdes, më varrosni në sallën e operacionit’.

Për kontributin e shquar në fushën e mjekësisë dhe me mirënjohje për humanizmin e jashtëzakonshëm kam privilegjin të vlerësoj sot, Prof. Petro Cani me Dekoratën e lartë ‘Nder i Kombit’.

Prof. Petrit Gaçe ia dedikoi gjithë jetën lindjes dhe zhvillimit të kardiokirurgjisë shqiptare, duke u konsideruar si themeluesi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë Shqiptare.

Por, Prof. Gaçe është njëkohësisht edhe autor dhe nismëtar i disa specialiteteve mjekësore në vendin tonë, ashtu siç ka qenë edhe një pedagog i jashtëzakonshëm.

Jeta e tij ka qenë e mbushur me sfida, përpjekje e arritje duke filluar qysh në rininë e tij, kur ai, si dhjetëra bashkëmoshatarë, ndërpreu studimet në Normalen e Elbasanit, për t’iu bashkuar partizanëve të Brigadës së 17-të Sulmuese.

Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve, i mbushur me dije dhe ëndrra, vendosi të merret me kirurgjinë e zemrës, të cilës i qëndroi besnik gjatë gjithë jetës.

Aftësia kryesore e Prof. Gaçes ka qenë dashuria për njerëzit dhe përkushtimi për ta.

Ishte pikërisht ky dedikim ndaj pacientëve, që ka qenë gjithmonë maksimal, ndërkohë që, korrektësia dhe ndershmëria e tij kanë ngelur proverbiale.

Shokët dhe kolegët e prof. Gaçes e admironin jo vetëm si specialist shumë të dalluar, por edhe si intelektual erudit, dhe mbi të gjitha modest.

Prof. Gaçja me modestinë e tij, njihet si kirurg jashtëzakonisht më i ditur, më punëtor dhe më i famshëm, që i habiti të gjithë me nismat e bukura që ndërmori, duke ndjekur hap pas hapi përparimin e mjekësisë botërore.

Me mundësitë e pakta që ofronte vendi ynë, ai kujtohet sot, si një ndër emrat e historisë botërore të kirurgjisë së zemrës dhe si një nga kirurgët më të famshëm.

Prof. Gaçja kishte dy cilësi të domosdoshme për të qenë një kirurg i madh: intelektualitetin dhe manualitetin.

Por, ai kishte edhe një cilësi të tretë, që e bënte të dallohej nga shumë të tjerë: aftësinë për të formuar një ekip me mjekë të aftë, ambiciozë dhe që ishin gati të sakrifikonin për të sëmurët, që u kishin besuar jetën e tyre.

Prof. Gaçja vlerësohet shumë nga kolegët e tij për vetmohimin dhe sakrificat e shumta. Puna e tij novatore mbetet në themel të kirurgjisë kardiovaskulare, që po ngrihet e zhvillohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri, nga kolegë e studentë të Prof. Gaçes.

Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e shquar në fushën e mjekësisë, për humanizmin e jashtëzakonshëm kam privilegjin të vlerësoj sot, Prof. Petrit Gaçe me Dekoratën e lartë ‘Nder i Kombit’”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb