Me rastin e Ditës Botërore të të Moshuarve, Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot kryetarin e shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, Faik Xhani me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të devotshmërisë dhe përkushtimit në të gjitha detyrat që ka kryer; për ndihmën e pakursyer në themelimin, drejtimin dhe funksionimin e disa organizatave joqeveritare në vendin tonë; si hulumtues serioz, publicist dhe autor e redaktor i disa librave me vlera artistike dhe publicistiko-letrare, si dhe për kontributin e veçantë në ndihmë të pensionistëve të Shqipërisë dhe njerëzve në nevojë”.

Në ceremoninë solemne të dekorimit të zhvilluar në Institucionin e Presidentit të Republikës, në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile, aktivistëve të mbrojtjes së të drejtave të të moshuarve, intelektualëve dhe gazetarëve, Kreu i Shtetit u shpreh se kjo ditë na jep mundësinë të theksojmë dhe vlerësojmë kontributin e rëndësishëm që të moshuarit japin për shoqërinë dhe për t’u ndërgjegjësuar, si për mundësitë, ashtu edhe për sfidat e moshimit në botën e sotme.

Meta iu bëri thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe veçanërisht atyre të kujdesit shëndetësor, që të punojnë fort për përmirësimin e mirëqenies së të moshuarve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

MESAZHI I PLOTË I PRESIDENTIT META
“Është kënaqësi të jemi sot së bashku, për të vlerësuar z.Faik Xhani, Kryetarin e shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”.
Ky vlerësim ka një simbolikë të madhe sepse bëhet sot, në datën 1 Tetor, Ditën Botërore të të Moshuarve, që na jep mundësinë të theksojmë dhe vlerësojmë kontributin e rëndësishëm që të moshuarit japin për shoqërinë dhe për t’u ndërgjegjësuar, si për mundësitë, ashtu edhe për sfidat e moshimit në botën e sotme.

Ky vit është i rëndësishëm, sepse shënon 30 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve. Fatkeqësisht, ky përvjetor ndodh në një situatë emergjence, si COVID-19, që sjell rreziqe të mëdha, veçanërisht për moshat më të vjetra.
Sot në botë kemi ndryshme rrënjësore demografike, me një rritje të madhe të numrit të të moshuarve, numër i cili do të vazhdojë të rritet edhe në dekadat e ardhshme.
Zgjatja e jetës duhet parë si një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të moshuarit, por edhe për familjet e tyre dhe për të gjithë shoqërinë. Ajo sjell mundësinë që të moshuarit të vazhdojnë të kontribuojnë në shumë mënyra si për familjen dhe për komunitetin.
Prandaj në këtë ditë, ju bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe veçanërisht atyre të kujdesit shëndetësor, që të punojnë fort për përmirësimin e mirëqenies së të moshuarve.
Sot, në këtë ditë të shënuar dhe të rëndësishme për të moshuarit, do të vlerësojmë kontributin e njërit prej tyre, që është shembull i njeriut aktiv dhe që vazhdon të kontribuojë për shoqërinë tone në mënyrë shembullore, z. Faik Xhani.
Z. Xhani ka një eksperiencë të gjatë si mësues. Dashuria dhe dedikimi e tij për mësimdhënien dhe për edukimin e të rinjve është vlerësuar, jo vetëm nga familjet e nxënësve e studentëve të tij, por edhe nga institucionet shtetërore.
Z.Xhani është dalluar gjatë gjithë jetës së tij edhe si veprimtar shoqëror, duke kryer me devotshmëri e përkushtim detyra të ndryshme shoqërore.

Ai ka qenë nismëtar e kontribues për themelimin dhe funksionimin e disa shoqatave jofitimprurëse, që kanë ndihmuar fëmijët jetim, moshën e tretë dhe familjet në nevojë.
Po ashtu gjatë gjithë jetës së tij, z.Xhani ka punuar për promovimin e vlerave atdhetare të krahinave të ndryshme të vendit, si dhe të traditave më të mira të popullit tonë.

Z.Xhani ka dhënë një kontribut të veçantë si studiues, publicist, autor e redaktor librash. Ai është autor i disa librave dhe i qindra artikujve në median e shkruar vendase dhe të huaj. Për punën dhe kontributin e tij, ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Për më shumë se 15 vite, z. Xhani është angazhuar në aktivitetin e shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, që e drejton prej vitit 2016.
Kjo shoqatë ka në fokus të punës së saj, mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të pensionistëve të vendit tonë.

Aktivitetet e saj janë të larmishme, nga përkujtimi i datave të rëndësishme historike, në vlerësimin e anëtarëve të saj, nga organizimi i takimeve dhe konferencave me fokus moshën e tretë, në botimin e gazetës ‘Zëri i Pensionistit’.
Duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e z. Xhani, aktivitetin e tij të larmishëm, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve dhe familjeve në nevojë, kam kënaqësinë t’i akordoj sot titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, – u shpreh Presidenti Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb