Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin ‘Mjeshtër i Madh’ Shoqatën “Antipatrea”.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, kreu i shtetit theksoi se prej dy dekadash kjo shoqatë është promovuese dhe mbrojtëse e palodhur e vlerave të trashëgimisë historike.

MESAZHI I METËS
Shoqata “Antipatrea” prej dy dekadash është promovuese dhe mbrojtëse e palodhur e vlerave të trashëgimisë historike, kulturore dhe shpirtërore të Beratit.
I paharruar do të jetë kontributi i çmuar i saj, për përfshirjen nga UNESCO të “qytetit të një mbi një dritareve” në Listën e Trashëgimisë Botërore, ashtu siç vlen të përgëzohet mbështetja, që i ka dhënë Prizrenit, për t’u bërë pjesë e kulturës universale me propozimin e projektit kuptimplotë: “Vëlla Berati dhe motër Gjirokastra kërkojnë edhe vëlla Prizrenin në UNESCO”.
Shoqatës “Antipatrea”, garantueses së paepur të vlerave tona më të mira qytetare, atdhetare e kombëtare, i jemi mirënjohës edhe për angazhimin e jashtëzakonshëm për t’ju kundërvënë energjikisht fenomeneve tepër negative dhe gërryese të tranzicionit mbi trashëgiminë kulturore të Beratit, duke parandaluar, denoncuar e penguar vendimet korruptive dhe ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura.
Për të gjitha këto kontribute të shkëlqyera të dhëna për identitetin shqiptar, pata kënaqësinë të vlerësoj Shoqatën “Antipatrea” me Titullin kuptimplotë ‘Mjeshtër i Madh’. ??
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb