Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” politikanen e shquar dhe deputeten shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, znj. Ermina Lekaj Prljaskaj: “Në vlerësim të kontributit të çmuar të dhënë përgjatë viteve në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Me mirënjohje shtetërore për mbështetjen dhe promovimin e vazhdueshëm të vlerave më të mira të kulturës, historisë dhe traditave tona, që bashkojnë shqiptarët në të gjitha trojet, si dhe për kontributin e vyer në drejtim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit tonë kombëtar në diasporë.”

Duke iu drejtuar deputetëve kroatë dhe të pranishmëve në ceremoninë solemne të dekorimit, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se jeta dhe kontributi i zonjës Lekaj Prljaskaj është e lidhur pazgjidhshmërisht me kombin dhe faktorin shqiptar në Kroaci dhe në rajon.

Kreu i Shtetit theksoi se në të njëjtën kohë, angazhimi parlamentar i saj i ka dhënë një dimension të ri dhe të vlerësuar faktorit shqiptar në radhët e politikës kroate, duke rritur profilin e tij dhe duke ndihmuar njëkohësisht, në evidentimin dhe zgjidhjen e disa problematikave, me të cilat përballen pakicat.

FJALA E PRESIDENTIT META
“Jam i lumtur, të ndodhem sot me ju, për të vlerësuar një zonjë, një grua shqiptare, që në zemër e shpirt ka çështjen kombëtare dhe forcimin e faktorit shqiptar në rajon, deputeten e Parlamentit të Kroacisë, znj. Ermina Lekaj Prljaskaj.

Zonja Lekaj Prljaskaj vjen nga një familje patriotike e Hasit të Kosovës, ku dashuria për Atdheun, kombin, gjuhën, traditat, doket e zakonet iu ushqye që në fëmijëri.

Kjo dashuri vazhdon ta shoqërojë edhe në atdheun e saj të dytë, në Kroaci, ku ka kryer studimet universitare e pasuniversitare dhe ku jeton e punon prej dekadash.
Jeta dhe kontributi i zonjës Lekaj Prljaskaj është e lidhur pazgjidhshmërisht me kombin dhe faktorin shqiptar në Kroaci dhe në rajon.

Zgjedhja si deputete e parlamentit kroat, për dy mandate, është një dëshmi e qartë e mbështetjes dhe respektit, që gëzon zonja Lekaj Prljaskaj në radhët e diasporës shqiptare në Kroaci.

Në të njëjtën kohë, angazhimi parlamentar i saj i ka dhënë një dimension të ri dhe të vlerësuar faktorit shqiptar në radhët e politikës kroate, duke rritur profilin e tij dhe duke ndihmuar njëkohësisht, në evidentimin dhe zgjidhjen e disa problematikave, me të cilat përballen pakicat.

Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim personal e institucional për rolin dhe kontributin e çmuar, që zonja Lekaj Prljaskaj, si deputete në Parlamentin e Republikës së Kroacisë, ka dhënë përgjatë viteve, në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të shkëlqyera, por edhe tepër premtuese midis Shqipërisë dhe Kroacisë.

Ky kontribut i zonjës Lekaj Prljaskaj është i dukshëm dhe konkret, edhe në rolin e saj të veçantë, si Kryetare e Grupit Ndër parlamentar të Miqësisë Kroaci-Shqipëri.

Krahas kontributit parlamentar, zonja Lekaj Prljaskaj është e angazhuar në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, në nivel lokal e rajonal, ku vlen të përmendet roli i saj shumë aktiv në realizimin e projekteve të ndryshme të binjakëzimit, veçanërisht në Prefekturën e Rijekës, por edhe midis shumë rajoneve të tjera.

Zonja Lekaj Prljaskaj ka patur dhe ka një vizion të qartë për zhvillimin dhe forcimin e diasporës shqiptare në Kroaci.

Për të arritur këtë, ajo është angazhuar drejtpërdrejt në financimin e shumë projekteve të diasporës, e konkretizuar kjo përmes mbështetjes së shoqatave dhe të këshillave të pakicës shqiptare, kudo në këtë vend dhe të aktiviteteve që mbajnë gjallë frymën kombëtare shqiptare.

Sami Frashëri ka thënë: ‘Shenja e kombësisë është gjuha, çdo komb mbahet nga gjuha. Kur një komb humb gjuhën, humb edhe veten’.

Pra, ta ruash gjuhën tënde, ta flasësh e ta shkruash bukur, është detyrim, është atdhedashuri dhe është e vërtet.

Me këtë mësim në zemër, zonja Lekaj Prljaskaj është angazhuar me shpirt, duke luajtur një rol të vazhdueshëm e të rëndësishëm, si mësuese e gjuhës shqipe, për diasporën shqiptare në Zagreb dhe duke investuar në drejtim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në diasporë.

Mbështetja dhe promovimi i vlerave më të mira të kulturës, historisë dhe traditës shqiptare, vlera që bashkojnë shqiptarët e të gjitha trojeve tona, si dhe ruajtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore shqiptare, kanë qenë dhe mbeten në qendër të angazhimit dhe punës së jashtëzakonshme e të palodhur të zonjës Ermina Lekaj Prljaskaj.

Unë jam i bindur, se zonja Ermina Lekaj Prljaskaj do të vazhdojë të punojë me pasion dhe dashuri, edhe në vitet në vazhdim, për gjuhën dhe kombin shqiptar, duke na bërë krenarë, ashtu si deri më sot.

Po kështu jam i bindur se angazhimi i saj do të vazhdojë për të forcuar më tej lidhjet e shkëlqyera midis dy vendeve tona.

Jo vetëm midis Rijekës dhe Durrësit, ku pritet shumë shpejt që të kemi një konkretizim në fushën transportit detar, por njëkohësisht dhe për atë, që është më e domosdoshme dhe që na mungon aq shumë në raportet tona siç është lidhja ajrore direkt midis Tiranës dhe Zagrebit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb