Presidenti i Republikës, Meta vlerësoi Rilindasin e shquar, Koto Hoxhi (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Për kontributin e shquar në hedhjen e themeleve të arsimit dhe gjuhës shqipe, të rilindjes kulturore e letrare shqiptare, si dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare në shërbim të luftës për pavarësinë e Shqipërisë.
Në fjalën e Tij të rastit gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm personalitete të kulturës, studiues dhe akademikë, drejtues institucionesh dhe anëtarë Shoqatës kulturore “Lunxhëria”, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:

“Në shekuj Lunxhëria ia ka dalë të shkruajë faqe të lavdishme atdhetarie, arsimimi, kulture dhe emancipimi shoqëror!

Fjalët sonte nuk do të mjaftonin për të përcjellë gjithë respektin, mirënjohjen dhe nderimin shtetëror për krahinën tuaj të mrekullueshme.

Nuk ka studiues, vizitor apo udhëtar të famshëm, përfshi edhe Lord Bajronin, i cili ka përshkuar Lunxhërinë, e të mos ketë mbetur i mahnitur me bukuritë e natyrës, mikpritjen lunxhiote, kostumet, vallet, këngët dhe traditat tuaja të mrekullueshme.

Në çdo etapë të historisë ju keni gdhendur në gur e nëpër fletë të shkruara historie gjurmët e qytetërimit dhe të përpjekjeve për liri, edukim dhe kulturë si dhe ruajtje të paepur të trashëgimisë sonë aq të vyer kombëtare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Lunxhiotët kanë besuar përherë tek drita e shpirtit, tek dija, Zoti dhe liria!

Në këtë truall të bekuar nga Zoti e të mrekullueshëm, ata ndërtuan me shije objekte kulti, hapën shkolla dhe luftuan përherë për pavarësi dhe jetë më të begatë!

Në shtëpitë e tyre plot dritë u përhap mësimi parë i gjuhës shqipe, u shkrua dhe u luajt drama e parë në gjuhën tonë amtare ‘Një dasmë në Lunxhëri’, shkruar 150 vite më parë prej të madhit Koto Hoxhi.

Nga duart e arta të grave e vajzave u qepën kostumet më të hijshme të pakrahasueshme në botë. Ndërsa mjeshtrit e gurit ndërtuan banesa, shkolla, kisha e manastire me shumë art!

Kjo krahinë i fali Shqipërisë burra e gra të shquara!

Këtu lindën dhe u edukuan Rilindasit e mëdhenj të arsimit shqiptar: Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri e Urani Rumbo, firmëtari i pavarësisë Petro Poga, bamirësi Vangjel Zhapa, Heronjtë e Popullit Misto Mame, Mihal Duri e shumë e shumë të tjerë.

Nga ky panteon vlerash, në pamundësi për t’i vlerësuar të gjithë, sot zgjodhëm atdhetarin, martirin e gjuhës sonë, dramaturgun dhe mësuesin e rilindësve të mëdhenj, Koto Hoxhin.

Ky pionier i arsimit shqiptar mbolli në errësirën e kohës farën e dijes, të alfabetit dhe të gjuhës shqipe. Ai edukoi me ndjenjën e lirisë dhe krenarinë e identitetit kombëtar Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, por edhe shumë të tjerë.

Koto Hoxhi ishte ndër luftëtarët më të vendosur të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit shqiptar bashkë me patriotët Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri.

Ky luftëtar i dijes nuk do të shiste kurrë shpirtin atdhetar dhe nderin e vet para çdo torture dhe sakrifice deri në atë më sublime !

Biri nderuar i Lunxhërisë do të flijohej i bindur në fitoren e kauzës shqiptare për liri, arsim dhe emancipim shoqëror!

Ndaj para se të mbyllte sytë do të shkruante: ‘Ju o djem do të më kujtoni kur të ngjallet liria, por ç’të bëj unë i mjeri që m’u mbyllën sytë e mia!’

Ne jemi mbledhur së bashku jo vetëm ta kujtojmë, por edhe ta vlerësojmë lunxhiotin e famshëm me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.

Me këtë gjest ne nderojmë kontributin e tij në shërbim të kombit, por edhe përcjellim mesazhin e përkushtimit patriotik për gjeneratat e reja!

Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte produkt i fatit dhe i rrethanave të kohës, por në radhë të parë i luftës, sakrificës dhe përpjekjeve të burrave dhe grave më të përkushtuara të kësaj toke.

Edhe sot shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për burra dhe gra sa më atdhetarë dhe të përgjegjshëm për fatet e vendit!

Modernizimi, globalizimi dhe shoqëria e re e informacionit nuk mund dhe nuk duhet ta zbehin fuqinë e atdhetarisë dhe integritetin e popullit tonë!

Përkundrazi, ato janë më të nevojshme se kurrë për ta bërë Shqipërinë vend të dashur për të jetuar dhe njëkohësisht një vend të barabartë me të gjitha vendet e tjera të kontinentit tonë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb