Presidenti Ilir Meta ka zbuluar këtë mbrëmje mesazhin që i ka dërguar ambasadores Yuri Kim, pas plagosjes së aktivistit të PD brenda zyrës elektorale në Kavaj, Bledar Okshtuni.

I ftuar në një studio televizive natën e fundit të fushatës elektorale, Kreu i Shtetit është shprehur se i ka thënë ambasadores Kim se, “Nëse ju, do të reagonit pas ngjarjes së Kavajës, do ishte parandaluar edhe ngjarja e ndodhur në Elbasan”.

Pra, sipas Presidentit, nëse ndërkombëtarët do të kishin reaguar për ngjarjen e Kavajës, do të ishte parandaluar vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Pjesë nga biseda:
U kam thënë ndërkombëtarëve reagoni sot, se nesër do jetë tepër vonë. Nuk kemi nevojë që të huajt të reagojnë ditën e hënë. Ambasadores amerikane i kam thënë: “Nuk duhet të kishit toleruar Edi Ramën kur prishi marrëveshjen e 5 qershorit, e cila u nënshkrua në selinë e Ambasadës Amerikane. Nëse ju, do të reagonit pas ngjarjes së Kavajës, do ishte parandaluar edhe ngjarja e ndodhur në Elbasan”.
Prokuroria e Elbasanit është në konflikt interesi sepse është pjesë e fushatës elektorale. Prokuroria e Elbasanit është shtabi kryesor dhe mbrojtëse e Partisë Socialiste.
Për çdo pikë gjaku që derdhet në Shqipëri, dhe nuk reagohet për të vënë fajtorët para drejtësisë, përgjegjës do jete Edi Rama, SPAK, Prokuroria dhe Policia e Shtetit.
Përsëris thirrjen që të arrestohen drejtuesit e AKSHI-t, sepse unë ende nuk kam një përgjigje për pyetjet që kam bërë.
Skandali i AKSH-it, po trondit gjithë botën, ne jemi një vend i NATO-s. Nuk mund të vidhen të dhënat e qytetareve dhe të mos ketë një reagim dhe një përgjigje se çfarë ka ndodhur.
Cenohet siguria kombëtare me daljen e këtyre të dhënave, SPAK të reagoj menjëherë.
Është përgjegjësi e organeve të drejtësisë, nëse nuk zbardhen krimet zgjedhore si dosja e Dibrës dhe e Shijakut. Ëngjëll Agaçi dhe gjithë të tjetër e aferës së inceneratorëve sot, duhet të ishin në burg dhe nuk po reagohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb