Këto dy a tre ditë ka një habi dhe moskuptim të hatashëm nga politikanë dhe analistë të ndryshëm për marrëdhënien midis përpjekjeve për mbrojtjen e demokracisë nga devijimet autoritariste të qeverisë Rama, nga njera anë, dhe mbështetjes ose mosmbështetjes të këtyre përpjekjeve në mbrojtje të shtetit ligjor dhe demokracisë nga ana e aktorëve të mëdhenj të politikës ndërkombëtare nga ana tjetër.

Shumica bëjnë lojra fjalësh me flamur, analogjira të vjetra, analogjira pa bazë, ngelen te analiza e shkopit dhe e flamurit, etj.

Unë nuk mund të zgjatem shumë këtu sepse koha është me ngut – veç nëse ka kërkesa për këtë – por në gjykimin tim kjo ndodh sepse një pjesë e politikës dhe e analistëve, nuk flas fare për studjuesit – që në fakt pjesa më e madhe vegjetojnë dhe flenë – e mendojnë politikën sot me mendësitë e dy shekujve të kaluar dhe nuk kuptojnë që bota dhe Perëndimi kalon në këto dhjetvjeçarë një moment të ri!

Cfarë nuk kuptohet?

Që nuk mund të mendohet shteti shqiptar si një tërësi më vete sikur të ishte një shtet me territore gjigande si Turqia, Irani, Indonezia, Kanadaja, Australia, etj, as si Franca, Italia, Gjermani, etj.

As në shekullin e 20 nuk mund të mendohej, por sot në kushtet e Globalizimit as që bëhet fjalë të analizohet drejt dhe të mbrohet fati i kombit, shtetit, demokracisë shqiptare në mënyrë të shkëputur nga interesat rajonale të fuqive të mëdha të botës.

Demokracia dhe gjeopolitika në rastin tonë duhen menduar sëbashku brenda të njejtit sistem mendor dhe logjik. Përndryshe poqese këto dy variabla i marrim si të pavarur, atëhere jemi futur në rrugën e moskuptimit dhe habisë.

Pastaj do pyesim : Cfarë bëmë të keqe, ne vetëm shkopin e flamurit tundëm!

Prandaj albanologjia është një tërësi shkencash e shekullit të 19, por nuk vlen asfare sot sepse është një paradigmë izoluese, metafizike dhe që ndan realitete që nuk ndahen. Ndan Shqipërinë nga rajoni dhe lojërat politike e gjeopolitike ndërkombëtare.

Demokracia dhe gjeopolitika duhet menduar sëbashku. Përndryshe do të endemi në errësirë!

Cfarë do të thotë kjo?

Epo thellohuni or evlatër, thellohuni! Ose lexoni!

Se poqese nuk thellohemi do të ngelemi duke tundur shkopin dhe gjithë kohën do të na thonë ; Përse e tundni?!!

Jo e tundi mirë, jo s’e tundët mirë!

Do të na mbetet shkopi në dorë!

Autoritarizmi përndryshe do të vijë në rritje dhe njerëzit do të mbesin rrugëve duke pyetur : Cfarë po ndodh që dikur të dilje në rrugë të protestoje kishe të gjitha ambasadat e huaja me vete, kurse sot ncncnc!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: