Seanca e sotme e Kuvendit ka vetëm një pikë “të nxehtë”. Bëhet fjalë për raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Ulsi Manja, ne cilësinë e Kreut të Komisionit Hetimor për Shkarkimin e Presidentit njoftoi deputetët për konkluzionet e raportit me 44 faqe. Ai tha se presidenti e ka shkelur dy herë Kushtetutën si në rastin e zhdekretimit të zgjedhjeve, ashtu edhe në rastin e emërimit të Marsida Xhaferllarit në Kushtetuese.

Megjithatë, Manja tha se shkeljet e tij nuk çojnë detyrimisht në shkarkimin e Kreut të Shtetit.

“Për herë të parë në 30 vjet diskutohet raporti i ngritur me kërkesën e 55 deputetëve që kanë vënë në lëvizje mekanizmin kushetues e ligjor për shkarkimin e një presidenti për shkelje të rëndë të Kushtetutës bazuar në nenin 90 të saj. Natyra delikate e objektit të komisionit e justifikon kohëzgjatjen e tij. Raporti përfundimtar i miratuar më 20 korrik të mbledhjes së Komisionit Hetimor ka 40 faqe, është plani i hetimit, vendimmarrjet përkatëse dhe të gjitha aktet. 44 faqet janë votuar nga 48 kolegë, ndërsa 5 faqe janë mendim i pakicës: Halit Valteri dhe Alban Zeneli.

Dua mirëkuptimin tuaj se raporti që do të mbaj sot është tërësisht ligjor dhe kushtetues, nuk do të jetë raport i themeluar në konsiderata politike, se Kushtetuta dhe rregulloja kanë parashikuar mekanizma të posacme kur kemi të bëjmë me shkarkim të Presidentit, kalon në tre faza: Komisioni hetimor, Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese. Është seanca plenare ajo që përmes fakteve i jep edhe një vlerësim politik të kërkesës për shkarkim.

Për të qënë të qartë për publikun se edhe nëse Kuvendi e voton për shkarkim është Gjykata Kushtetuese ajo që jep verdiktin final për shkarkimin e Presidentit.

Kemi vërejtur disa shkelje, veprime dhe mosveprime në kundërshtim me Kushtetutën si në rastin e zgjedhjeve vendore ashtu edhe me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Arrijmë në përfundim se dekrekti i Metës 10/6/2011 për shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore si dhe dekreti në 13/12/2011 për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Kushtetuese janë akte dhe vendime antikushtetuese. Shkeljet e Presidentit dhe pasojat që ato kanë sjellë, duke mbajtur në konsideratë rolin e tij janë shkelje që nuk cojnë në domosdoshmërisht në shkarkim por diktojnë marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të evituar situata bllokuese në të ardhmen”,- tha Manja.

Ndër të tjera Manja u shpreh se gjatë veprimeve të tij, Presidenti me siguri ka ecur me mendimin se e ndihmon Zoti, “se kështu tha edhe në fjalimin e tij kur u betua si President në Parlament: Zoti më Ndihmoftë!

Sipas Manjës, shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk është kompetencë e Presidentit, por vetëm dekretimi i tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb