Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, foli për “përplasjen” në distancë mes presidentit Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Nazarko thekson se presidenti provokon vëmendje, por edhe i kundërvihet faktit se Rama tashmë kontrollon disa institucione. Ai shton se LSI do të ketë një rol kryesor në këto zgjedhje.

“Është e justifikueshme gjithçka deklaron presidenti. Meta provokon vëmendje më të fuqishme po të ishte lideri i një partie politike. LSI do ketë rol kryesor në zgjedhje. Kjo sepse do bëjë diferencën mes partive.

Rama e ka identifikuar Metën si person që bën fushatë për LSI. Meta kundërvihet dhe në mendimin tim duhet të dalë hapur për LSI-së. Metës duhet t’ia kesh frikën. Presidenti ndikon në fuqinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sigurisht. Ka edhe ambasadorë që paragjykojnë këtë rol të Metës”, tha Nazarko.

Mentor Nazarko u shpreh se Lulzim Basha ka kaluar momentet e tij të mira në politikë, por se në shumë aspekte ai nuk mund të krahasohet me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Basha ka më pak cilësi sesa Kurti për të përfaqësuar erën e ndryshimit. Kurti ka një konsistencë në qëndrimet e tij, ka qëndurueshmëri ideologjike, ka modernitet në komunikim, ka gjuhë të pasur me citime historike e filozofike, ka mitin e të pakorruptuarit. Basha nuk ka asnjë cilësi prej këtyre cilësive të Kurtit.

Lulzim Basha ka një moment të mirë, atë të liberalizimit të vizave, që ishte një modernizim i zyrave të Gjendjes Civile.  Por, Basha nuk ka pasuri në ato që thotë, dikush thotë se nuk është tërheqës tek rinia. PD nuk punon me rininë, kurse LSI punon për rininë. Basha nuk ka mitin e të pakorruptuarit. Basha nuk flitet për vese, si Kurti. Kryemadhi punon mirë për rininë. Ndërsa, Meta ka kostum institucional”, deklaroi Nazarko.

Më tej, Nazarko nënvizon se ka mbështetur Bashën në fillimet e karrierës, por se kostumi i tij u njollos rrugës.

Unë e kam mbështetur shumë figurën e Lulzim Bashës në fillimet e tij në politikë, por tani duket artificial. Basha fitoi jo vetëm për estetikë, por gjuha e tij ishte ligjore. Lulzim Basha ishte i sprovuar në administratën ndërkombëtare dhe fitoi bastione të së majtës.

Eksperienca në ekzekutiv i vendosi njolla rrugës Bashës. Fushata e sotme e Bashës ka fituar disa dimensione reale. Taksa 9 për qind favorizon të pasurit dhe bizneset e mëdha”, përmbylli Nazarko.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: