Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur letrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke thënë se mezi pret të punojnë së bashku.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një letër dërguar Kurtit ka thënë se shpreson që të rikthehet momentumi në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që Kosova të mbështetë zotimet paraprake.

Blinken ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë.

Ndërsa, kryeministri Kurti, duke mirëpritur letrën e Sekretarit Blinken, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se “Kosova i është mirënjohëse ndaj SHBA-së në përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me qëllim final njohjen reciproke.

“Unë e mirëpres letrën e Sekretarit Blinken dhe mbështetjen e tij për prioritetet tona në punësim dhe drejtësi. Kosova i është mirënjohëse ndaj SHBA-së në përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me qëllim final njohjen reciproke. Mezi pres të punojmë së bashku”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në letrën e tij ka thënë se marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike.

Përveç dialogut, Blinken ka bërë thirrje për vëmendje të shtuar në arritjen e marrëveshjes për energji në veri të Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur.

“Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka thënë Blinken.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb