TIRANE- Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve pranë Ministrisë së Financave po vijon procesin e përllogaritjes së masës së dëmshpërblimit, si dhe shpërndarjen e kësteve përkatëse edhe gjatë vitit 2016. Në bazë të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, ministria e Financave, në bashkëpunim me ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe ministrinë e Drejtësisë, bëri disa ndryshime ligjore, të cilat konsistonin në ndarjen në dy kategori të ish të përndjekurve politikë, në atë parësore dhe joparësore.

Kategoria e parë është kategoria parësore, në të cilën përfshihen “gra, ish të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës”. Për kategorinë e dytë me prioritet, “persona ish të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë”. Për kategorinë e tretë me prioritet, “persona ish të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda”. Për kategorinë e katërt me prioritet, “për persona ish të dënuar që janë gjallë, të cilët, pavarësisht moshës në momentin e pagesës, kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç”. Për kategorinë e pestë me prioritet, “për persona ish të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të rradhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”. Për kategorinë e gjashtë me prioritet, “për persona ish të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur moshën 75 vjeç”.

Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë nga regjimi komunist, është ndarë, në mënyrë proporcionale, në një raport prej 70 për qind për të gjitha kategoritë e subjekteve përfituese parësore, dhe 30 për qind për trashëgimtarët e ish të dënuarve. Nga viti 2007 deri 2013 janë paguar ata ish të dënuar, të cilët jetojnë, si dhe trashëgimtarët për këstin e tyre të parë dhe një pjesë e kësteve të dyta me një shumë totale prej 9.39 miliardë lekë dhe me një përqindje realizimi mesatarisht 84.83%. Gjatë vitit 2014, janë paguar gjithsej për këst të parë rreth 1,374 përfitues me një shumë totale prej 275 milionë lekë.

Me ndryshimin e ligjit në vitin 2014, iu dha përparësi atyre ish të dënuarve që janë gjallë, si dhe atyre të cilët kanë vdekur, por që në momentin e daljes së ligjit kanë pasur fëmijë të mitur nën 18 vjeç, janë paguar në total për të dyja kategoritë me një përqindje realizimi në masën 98%. Gjatë harkut kohor të vitit 2015, kategoria parësore përfshin 70% të fondit në dispozicion, me një vlerë prej 1.4 miliardë lekë.

Ministria e Financave dhe Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve sqaroi të gjithë qytetarët përfitues, pjesë e kategorive parësore dhe joparësore, që t’i referohen vetëm informacionit zyrtar të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, lidhur me listat dhe radhën e pagesave.
Sqarojmë se për shpërndarjen e kësteve për kategorinë parësore, të gjithë përfituesit duhet të sjellin sa më shpejt certifikatë personale të muajit të fundit dhe vërtetimin e numrit të llogarisë bankare, pasi në mungesë qoftë të njërit prej këtyre dokumenteve ata nuk mund të përfitojnë. Një nga objektivat e Drejtorisë së Pagesave dhe Dëmshpërblimit, për vitin 2016, është përfundimi i plotë i shpërndarjes së këstit të pestë dhe fillimin e likuidimit të këstit të gjashtë për kategorinë parësore, si dhe vazhdimin me përpikëri dhe seriozitet të shpërndarjes së fondit sipas numrit rendor të kësteve pasardhëse për kategorinë joparësore.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: