TIRANE- Të ardhurat totale të buxhetit arritën 279 miliardë lekë nga 285.9 miliardë lekë të parashikuar për periudhën. Të ardhurat nga Pushteti Vendor janë rreth 9.4 miliardë lekë. Të ardhura nga fondet speciale për periudhën janë rreth 52.7 miliardë lekë.

Në total, të Ardhurat nga Tatimet dhe Doganat janë mbledhur 190.1 miliardë lekë. Administrata Tatimore ka mbledhur 84.5 miliardë lekë. Doganat kanë mbledhur 105.5 miliardë lekë.

Për të ardhurat e mbledhura nga Administrata Doganore “Taksa doganore” ka performancë 6.1% më shumë se parashikimi; “Akciza” ka mosrealizim të planit prej rreth -3.3%, por krahasuar me një vit më parë ajo është rritur me rreth 0.8%; “Renta minerale” ka vazhduar rënien e saj dhe është nën objektivin e periudhës me -3.8%.

Rënia në të ardhurat nga Administrata Doganore shpjegohet me vazhdimësinë e ndikimit të faktorëve të jashtëm, të cilët ndikojnë në mbledhjen e të ardhurave doganore dhe janë jashtë parashikimit.

Rënia e të ardhurave nga TVSh në import është ngushtësisht e lidhur me rënien e importeve, ku ndikim kryesor ka rënia e importeve të energjisë, rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve të përjashtuar nga TVSh me 23.2% krahasuar me një vit më parë, rritja e importit të barnave dhe arit të përjashtuar nga TVSh me rreth 19.2% krahasuar me një vit më parë, si dhe rënia e importeve në total me -2.4% krahasuar me një vit më parë. Në total, rënia e importeve të grup produkteve kryesore krahasuar me vitin e kaluar kanë sjellë një efekt negativ në të ardhurat nga TVSh në masën 2.9 miliardë lekë.

Në analizë të grup-produkteve subjekt i akcizës, vërehet se përveç cigareve, të gjithë zërat e tjerë të akcizës janë rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar. Kështu: i) importet e kafes janë rritur me 20%; ii) konsumi i karburantit është rritur me 1,4%; iii) pijet energjike janë rritur me 19%; iv) konsumi i birrës është rritur me 24%.

Renta për 10-mujorin është me ulje dhe kjo si rezultat i uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe të sasisë së naftës bruto për eksport me rreth 122.8 mijë ton (me efekt rreth 2.2 miliardë lekë më pak se viti i kaluar). Mbajtja e ulët e çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, sipas parashikimeve të bursave, është fenomen që do të zgjasë përgjatë gjithë vitit.

Gjithashtu, edhe të ardhurat nga renta minerale për produktet e tjera ka rënë, ku evidentohet rënia e sasive të eksportit me rreth 250 mijë ton më pak se viti i kaluar si pasojë e çmimene të pa favorshme ndërkombëtare.

Në total, të ardhurat nga renta minerale janë rreth 2.3 miliardë lekë më pak se viti i kaluar.

Të ardhurat e realizuara nga Administrata Tatimore janë rreth 150 miliardë lekë. me realizim të objektivit prej 99.84%. Krahasuar me vitin e kaluar, Administrata Tatimore ka mbledhur rreth 14.5 miliardë lekë më shumë ose 10.7% më shumë. Ndër zërat kryesorë me performancë pozitive janë “Tatimi mbi vlerën e shtuar” dhe “Taksa nacionale”.

TVSH- ka pasur një performancë pozitive, e lidhur kjo edhe me luftën ndaj informalitetit, i cili ka rezultuar në rritjen e xhiros së tatueshme për muajt korrik, gusht dhe shtator 2015. Vetëm për muajin tetor 2015, të ardhurat nga TVSH janë rreth 500 milionë lekë më shumë se planifikimi.

“Tatimi mbi të ardhurat personale” është me mosrealizim kundrejt planifikimit për arsye të vazhdimit të ndikimit të rënies së normave të interesit, si dhe dividendeve të paguar kryesisht në muajin gusht të këtij viti (pagesat ishin më të ulta se parashikimi, pra është shtuar likuiditeti i mbajtur nga kompanitë). Një tjetër faktor është e ardhura e ulët nga shitja e pasurisë së paluajtshme.

“Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” janë duke ecur sipas objektivit. Ndikim kryesor në këtë zë e ka reforma e luftës ndaj informalitetit, ku vetëm për muajin shtator 2015 janë regjistruar rreth 52 mijë të punësuar të rinj. Duhet theksuar se ky kontigjent i ri i shtuar, deklaron me pagë minimale prej 22 mijë lek/muaj dhe, përsa i përket taksave, paguan vetëm kontribute, që reflektohet në realizimin e këtij zëri dhe për arsye të politikës fiskale të qeverisë, këta janë të përjashtuar nga tatimi mbi pagën, sepse deklarojnë nën pragun 30 mijë lekë në muaj.

Shpenzimet

Për periudhën janar-tetor 2015, arritën në rreth 330 miliardë lekë ose 22 miliardë lekë më pak se plani i periudhës prej 352 miliardë lekë, pra kemi një realizim prej 94% të planit të periudhës. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 10-mujorin u realizuan në masën 72 për qind të planit vjetor. Shpenzimet faktike, të krahasuara me planin e periudhës 10-mujore, janë rreth 6 për qind më të ulëta, gjë që tregon një realizim të mirë dhe konsiderueshëm në përputhje me planin, por ende jo në nivelet e nevojshme. Kjo ulje, kryesisht vjen si pasojë e nivelit më të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale. Zërin kryesor të mosrealizimit e mbajnë shpenzimet kapitale me rreth -17%, ndërsa shpenzimet korente dhe ato të detyrimeve të prapambetura janë të plotësuara në nivele shumë të kënaqshme realizimi, përkatësisht në nivelet 96% dhe 93%. Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve apo parashikimi për t’u realizuar në tremujorin e fundit.

Sipas treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale janë realizuar në masën 311 miliardë lekë, ose afërsisht 10.9 miliardë lekë më pak se plani i periudhës 10-mujore. Ndërkohë, realizimi i shpenzimeve të përgjithshme në masën 330 miliardë lekë, pra rreth 6 për qind më pak se plani i periudhës, është shoqëruar me një deficit buxhetor prej rreth 18 miliardë lekë, i cili është më i ulët se plani për afërisht 11 miliardë lekë. Paraprakisht mund të themi se, kjo ka bërë që të rritet besueshmëria e qeverisë në raport me tregun dhe partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ky fakt lidhet edhe me një politikë të kujdesshme në funksion të përmirësimit të financave shtetërore dhe arritjes së një niveli pozitiv në trendin e rritjes.

Vihen re qartë tendencat pozitive të sjelljes së buxhetit parë në këndvështrimin e deficitit të krijuar gjatë kësaj periudhe. Krahasuar me planin e parashikuar, kemi një diferencë më të ulët ndërmjet të ardhurave të grumbulluara në buxhetin e shtetit dhe shpenzimeve të realizuara në raport me planin, duke rezultuar në një deficit buxhetor konsiderueshëm më të ulët. Kjo përkthehet shumë mirë në politika të frytshme dhe të kujdesshme buxhetore nga ana e qeverisë duke rritur qëndrueshmërinë dhe ndikuar në premisat e një buxheti të konsoliduar.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb