TIRANE- Ministria e Financave është e detyruar të sqarojë edhe njëherë të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e tregtimit të hidrokarbureve se, me Vendimin nr. 349, datë 29.4.2015, Këshilli i Ministrave miratoi një ndryshim në Vendimin bazë mbi kasat fiskale, në të cilin u hoq rasti i prishjes së pompave të karburanteve dhe shitja për 3 tre ditë pa lëshimin e kuponave fiskalë.

Më parë, grosistëve dhe shitësve me pakicë i jepej një afat 3-ditor që të shisnin karburant pa lëshuar kupon tatimor, në rast se i prishej kasa. Pas tre ditësh, me rregullimin e kasës, duhet të hidheshin të dhënat në sistem. Në rast se difekti nuk rregullohej brenda tre ditësh, ndalohej shitja e karburantit.

Kjo dispozitë është keqpërdorur dhe abuzuar nga grosistët, të cilët shisnin shpesh 3 ditë pa lëshuar kupon, nën justifikimin e prishjes së kasës.

Më datë 29 prill, Këshilli i Ministrave e ndryshoi këtë pikë duke hequr “3 ditëshin“. Në rast se prishet kasa, ndalohet shitja e karburantit. Konkretisht:

Kur dispenseri ose pajisja fiskale difektohet dhe del nga regjimi automatik, dispenseri nuk mund të punojë dhe subjekti nuk mund të shesë pa kupon tatimor deri në momentin e asistimit nga shoqëria e autorizuar që ky subjekt ka një kontratë mirëmbajtje.

Koha e gjatë për 72 orë deri në momentin e rregullimit të pajisjes fiskale jepte shkas për abuzim, duke tregtuar karburant pa kupon tatimor.

Shpesh herë pajisjet fiskale prisheshin qëllimisht nga subjektet apo teknikët e autorizuar për të tregtuar pa kupon tatimor dhe pa matur sasinë e tregtuar gjatë kohës prej 72 orë.

Me këtë ndryshim tashmë nuk mund të tregtohet karburant pa kupon tatimor dhe procesi i tregtimit të lëngut duhet të ndërpritet kur pajisja nuk funksionon.

Ministria e Financave dhe DPT iu bën me dije subjekteve që të njihen dhe të zbatojnë aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në fushën e tregtimit të hidrokarbureve dhe sidomos në përdorimin korrekt dhe ligjor të kasave fiskale. Ndryshimi i fundit në vendimin e Këshillit të Ministrave saktëson se: “Furnizimi me karburant kryhet vetëm pas autorizimit nga pajisja fiskale dhe KDE-ja nën regjimin automatik, sipas parimit ‘Pa kupon, s’ka karburant’”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb