TIRANE- Ministria e Financave vijon të paguajë, nëpërmjet thesarit kompensimin e plotë për të burgosurit pa të drejtë. Deri tani, sipas të dhënave të bëra publike, janë ekzekutuar plot 690 vendime të kompensimit, duke planifikuar në buxhet mbi 830 milionë lekë.

Kompensimi i burgimit të padrejtë rregullohet nga dispozitat e ligjit “Për kompensimin e burgimit të padrejtë”. Ky ligj parashikon që duhet të kompensohen për burgimin e padrejtë, ose periudhën e arrestit në shtëpi, të vuajtur padrejtësisht, personat për të cilët prokuroria ka pushuar hetimet, personat për të cilët gjykata ka dhënë pafajësinë dhe ata për të cilët është vendosur pushimi i çështjes.
Përfitojnë gjithashtu kompensim personat, që kanë vuajtur një dënim për një periudhë më të gjatë sesa ajo e parashikuar në vendimin gjyqësor, apo se sa afatet e parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale, në lidhje me afatet e paraburgimit.

E drejta për kompensim iu njihet edhe personave, për të cilët vendimi i dënimit, mbi bazën e të cilit iu është hequr liria është prishur nga një gjykatë e një shkalle më të lartë, ose nëse vërtetohet, që vendimi për heqjen e lirisë është marrë si rrjedhojë e një procedure të gabuar. Ligji ka parashikuar shprehimisht që, detyrimi për kompensimin e burgimit të padrejtë përballohet nga Ministria e Financave, e cila duhet të thirret si palë në procesin gjyqësor, me anë të të cilit përcaktohet masa e kompensimit.

Ligji përmban gjithashtu edhe kriteret që duhet të vlerësohen nga gjykata, me qëllim caktimin e masës së kompensimit. Këto kritere janë të disa natyrave. Ato lidhen me situatën personale dhe familjare të personit si dhe me ekzistencën ose jo të marrëdhënieve të punës, para arrestimit të personit të dënuar padrejtësisht.

Janë parashikuar gjithsesi disa tarifa maksimale, që nuk mund të tejkalohen nga Gjykata në caktimin e masës së kompensimit. Konkretisht, për një ditë heqje lirie, në formën e paraburgimit, masa maksimale e kompensimit është 3000 lekë. Për një ditë heqje lirie, në formën e burgimit, masa maksimale e kompensimit është 2000 lekë. Ndërsa, për arrestin në shtëpi, masa maksimale e kompensimit është 1000 lekë/ditë.

Gjykimi i çështjeve me objekt “kompensimin e burgimit të padrejtë”, është në kompetencë të Gjykatave Administrative. Fondi për ekzekutimin e vendimeve me objekt dëmshpërblim për burgim të padrejtë planifikohet në buxhetin e Ministrisë së Financave.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: