Nga: ORNELA MANJANI*

TIRANE- Ministria e Financave prej dy vjetësh ka kundërshtuar dhënien me koncesion të administrimit të TVSH-së. Një grup ekspertësh i ngritur nga ministri Shkëlqim Cani ka dalë në konkluzionin se dhënia e këtij shërbimi me koncesion shkel Kushtetutën dhe rrezikon të dhënat. Propozimi për dhënien me koncesion të administrimit të TVSH-së është bërë nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj dhe ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Projekti
Projekti për dhënien e administrimit të TVSH-së me koncesion ka rreth dy vite që është penguar nga Ministria e Financave. Si një propozim i ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Ministria e Ekonomisë, administrimi në këtë formë i TVSH-së nuk ka qenë i mirëpritur nga Ministria e Financave. Në një memo të posaçme të grupi të punës në Ministrinë e Financave për koncesionin në fjalë thuhet se, praktikisht subjekti privat do të ushtrojë një funksion (mbledhjen dhe administrimin e TVSH-së), që nuk i takon me ligjin për procedurat tatimore. “Kjo formë nënkupton ndryshim të sistemit aktual dhe delegim i autoritetit publik. Për sa u përket tatimeve te privati, vë në dyshim shumë elementë dhe qëllime të sistemit aktual, që lidhen me rrezikun e keqadministrimit dhe keqpërdorimit të të dhënave, zhveshjen e shtetit nga autoriteti kryesor i mbledhjes dhe administrimit të të dhënave dhe do të ngrejë pikëpyetje të mëdha për sa i përket sistemit të ankimeve ndaj vlerësimeve tatimore etj., lidhur me subjektin që do të jetë palë e paditur nga tatimpaguesit, që ankohen edhe me marrëdhëniet detyrimore koncesionar-shtet-tatimpagues. Po ashtu, është shumë e diskutueshme zgjidhja e propozuar lidhur me pronësinë mbi asetet pas përfundimit të koncesionit”, thuhet në memon e Ministrisë së Financave për koncesionin në fjale, të cilën e disponon ‘Monitor’. Grupi i punës në Ministrinë e Financave ka argumentuar se koncesioni duhet miratuar me ligj, pasi neni 155 i Kushtetutës kërkon që përjashtimi nga taksa etj., të bëhet me ligj. Shkresa paralajmëron që duke qenë se praktika kërkon që ky koncesion të miratohet me ligj, kjo e vë edhe vetë shtetin në pozitë delikate edhe në rastet kur dhënia e koncesioneve është miratuar me praktika të këqija etj. Në përfundim, vlerësohet se sistemi i propozuar bie ndesh me parimet themelore të funksionimit të sistemit aktual dhe me tiparet kryesore ligjore të tij propozon zgjidhje jo të përshtatshme.
Koncesioni
Qeveria e shpalli zyrtarisht dje dhënien e administrimit të TVSH-së me koncesion të formës partneritet-publik-privat. Zv/ministria e Financave, Irena Beqiraj, ka shpjeguar se koncesioni do të jepet me garë të hapur dhe ka qellim përmirësimin e procedurës se mbledhjes së tatimit. Ajo pohoi se ka një propozim të pakërkuar nga kompania MPOS, por do të hapet tender, i cili do të shpallet në “Financial Times”. Koncesioni do të jepet për një periudhë dhjetëvjeçare. Investimi i projektit është 9.57 mln euro, ndërsa u bë e ditur se kosto e operimit do të jetë 8.2 mln euro. Në 10 vjet llogaritet një kosto totale prej 91 milionë euro.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb