TIRANË- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf kanë nënshkruar sot një marrëveshje për financimin e projektit për menaxhimin e borxhit. Bëhet fjalë për financimin e versionit 6 të programit të menaxhimit të borxhit. Duke folur për këtë projekt, Ministri Cani pasi ka falënderuar shtetin zviceran, ka theksuar se menaxhimi i borxhit, nëpërmjet këtij programi kompjuterik të përditësuar do të sjellë përmirësimin e financave publike. Cani tha se në këtë drejtim në këto dy vite është bërë shumë.

“Falënderoj partnerët ndërkombëtar që nuk kanë reshtur së na mbështetur. Ministria e Financave  ka një program deri në 2020 për përmirësimin e financave. Kemi bërë ndryshime drastike. Financat publike kanë marrë një zhvillim të madh. Shumë sisteme po përmirësohen, edhe sistemi i thesarit. Ky grant, kjo shumë e dhuruar nga qeveria zvicerane shkon në mbështetje të përmirësimeve të borxhit publik. Është një update i sistemit aktual që kemi”, tha Cani.

Ndërsa ambasadori i Zvicrës tha se vendet e rajonit po përballen me rritjen e borxheve publike dhe ky projekt i vjen në ndihmë vendeve si Shqipëria për përmirësimin e kapaciteteve për menaxhimin e borxhit. Graf tha se ky projekt është një database e mirë për menaxhimin e borxhit publik dhe ndihmon edhe FMN-në dhe BB-në për nxjerrjen e statistikave.

“Në shumë vende duke përfshirë këtë rajon ka një sfidë në këto moment me rritjen e borxheve publike, ndaj ka nevojë që ekonomi të vogla si Shqipëria të mësojnë më shumë për këtë dhe të përmirësojnë kapacitetet teknike.Shqipëria po merr reforma për përmirësimin e financave publike dhe kjo përfshin edhe menaxhimin e borxhit. Por ne e dimë se faktorët e jashtëm luajnë rol, por sërish ka akoma për të bërë. Është një database e mirë për menaxhimin e borxhit. Projekti do të përditësojë një program kompjuterik për të menaxhuar borxhin. Ju siguroj për cilësinë e tij, pasi është i provuar dhe i implementuar dhe është aplikuar në 57 vende dhe një karakteristikë tjetër, lejon nxjerrjen e statistikave që ndihmon FMN-në dhe BB-në”, theksoi Graf.

Më tej Ministri Cani tha se “Qeveria është e angazhuar në një sërë reformash dhe se secila prej tyre ka radhën e vet”. “Kemi kaluar nga marrëdhënie brutale dhe të keqadministruar me biznesin në marrëdhënie më miqësore”, u shpreh Cani. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për eurobondin, Ministri deklaroi se shteti i ka paratë për ta shlyer në nëntor.

Më tej, Ministri i Financave, Cani ka pranuar problemet me inflacionin, duke theksuar se aktualisht shifra është 1.3%.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb