* “Koncesioni do të jetë 10-vjeçar”

TIRANË- Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka zhvilluar sot një takim informal me gazetarët. Cani përfitoi nga ky takim për të njoftuar se financat kërkojnë sistem të ri të mbledhjes së TVSH-së, e cila do të mblidhet nga kompani private.

Ministria e Financave pranon se sistemi aktual i mbledhjes së TVSH nuk funksionon si duhet dhe do ta japë atë me koncesion. Cani ka deklaruar se këtej e tutje, TVSH do të mblidhet nga kompani private, shumë prej të cilave, kanë shprehur interes për këtë shërbim.

Ai bëri të ditur se së shpejti do të shpallet tender ndërkombëtar për përzgjedhjen e kompanisë që do të mbledhë TVSH-në.
Ministri ka theksuar se ky vendim vjen si partneritet i sektorit publik-privat, dhe se qëllimi është mbledhja e më shumë të ardhurave.

Duke hyrë në detaje, zv.Ministrja e Financave Irena Beqiraj tha se ka probleme me deklarimin e TVSH, pasi faturat tatimore nuk deklarohen në kohë reale dhe produktet nuk arrijnë të gjurmohen nga dogana deri tek konsumatori.
“Unë do të përdor termin ‘partneritet publik – privat’”, tha zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj.
Ajo tha se kërkohet raportim në kohë reale dhe çdo transaksioni dhe të gjitha këto do t’i mundësojë sistemi i ri i mbledhjes së të ardhurave, që njëherësh do të ndihmojë në luftën kundër evazionit dhe informalitetit dhe bizneset të deklarojnë shpenzimet.

MF bëri të ditur se koncesioni për mbledhjen e TVSH do të jepet për 10 vjet.
Sipas Beqirajt, koncesioni i ri pritet të mbartë kosto të investimit fillestar prej 9.57 milionë euro dhe kosto operative vjetore prej 8.2 milionë eurosh dhe kontrata koncesionare do të vijojë për dhjetë vjet.

Pyetur për emrin e pronarit të kompanisë, Beqiraj tha se nuk e dinte dhe nuk mund ta jepte për shkak të ruajtjes së privatësisë. Ajo këmbënguli se koncesioni aktual është ndryshe nga koncesionet e shkuara duke argumentuar se termat e referencës i ngarkojnë koncesionmarrësit rrezikun e dështimit dhe ndajnë fitimet vetëm në rast suksesi, “me përjashtim të amortizimit bazë”.

Pas konferences, ‘Reporter.al’ zbardh se sipas termave të prezantuara, të cilat qenë gjithsesi të vagullta, koncesionmarrësi do të krijojë një sistem elektronik që do t’i mundësojë tatimeve të grumbullojnë informacion mbi shitjet dhe blerjet mes bizneseve si dhe shitjeve dhe blerjeve finale të konsumatorëve, gjë që do të mundësojë ndjekjen e produktit nga pika e importit apo e prodhimit deri te konsumatori final me presupozimin se një sistem i tillë do të identifikojë mashtrimet me tatimin mbi vlerën e shtuar. Sipas kushteve të përgatitura nga Ministria e Financave, koncesionmarrësi do të marrë një pagesë fikse për koston fillestare prej 9.57 milionë euro, e cila do të jetë amortizimi i sistemit për dhjetë vjet ose 957 mijë euro, si dhe një tarifë suksesi në rast se të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar që mblidhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të rriten me më shumë se 11 për qind në vit. Sipas teorisë, 11 për qind në vit është rritja e të ardhurave nga TVSH që tatimet e realizojnë në kushtet aktuale ndërsa në rast se kjo rritje do të bëhet, falë kontratës koncesionare, 12 apo 13 për qind, të ardhurat shtesë mbi rritjen fillestare 11 për qind do të ndahen mes qeverisë dhe koncesionmarrësit. Në rast se koncesionmarrësi dështon, atëherë Ministria e Financave do të paguajë një tarifë fikse për koston e investimit.

Sipas portalit te mesiperm, kërkesa fillestare për koncesion raportohet se është bërë nga një kompani private e panjohur me emrin MPOS, mbi aktivitetin e së cilës nuk dihet asgjë. Sipas shpjegimit të dhënë nga Ministria e Financave, pas marrjes së ofertës së pakërkuar për koncesion në vitin 2014, ministria ngriti një grup pune i cili bëri një studim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: