TIRANË- Ministria e Financave ka deklaruar sot se nuk do të japë me koncesion mbledhjen e TVSH-së. Numri 2 i financave, Irena Beqiraj deklaroi se bëhet fjalë për një partneritet publik-privat që ka në interes të tij, interesat e publikut dhe të shtetit.


“Ministria e Financave e thërret këtë konferencë për të sqaruar disa keqinterpretime në media dhe të shpjegojë qartë nismën për partneritetin publik-privat që synon të modernizojë sistemin dixhital që monitoron transaksionet e shitjes në shtetin shqiptar. Partneriteti me privatët, zgjedhje për të siguruar investime të rëndësishme. Është program i njohur në shumë vende. Programi ka edhe lotarinë e kuponit tatimor. MF ka punuar me muaj të tërë për të dalë me termat e këtij partneriteti. Është instrument shumë efikas. Nuk bëhet fjalë për lëshimin e të drejtave ekskluzive tek privati siç është mbledhja e TVSH-së. Nuk është koncesion por partneritet publik-provat që ka në interes të tij, interesat e publikut dhe të shtetit”, deklaroi Beqiraj.

Ajo theksoi se kjo platformë do t’i rrisë të ardhurat e shtetit në 10 vitet e ardhshme me 180 mln dollarë. “Ky partneritet do të bjerë më shumë përfitime buxhetit të shtetit se sa humbje. S’ka humbje, zero”, tha ajo.

Beqiraj siguroi se nisma e re që modernizojë sistemin dixhital, nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin. “Biznesi do të vazhdojë të operojë pa kosto shtesë. Do jenë po ato kasa në sistemin e ri tatimor. Do të ndryshojë protokolli i komunikimit”, tha më tej ajo.

Duke u ndalur tek problematika e ngritur së fundmi për një raport që ka kundërshtuar koncesionin, Beqiraj sqaroi se është “Një raport i pakërkuar i Ministrisë së Financave apo tatimeve që kanë kundërshtuar koncesionin”. “Unë ju theksova që Ministria e Financave ka marrë një propozim që është trajtuar nga grupe ekspertësh për t’u trajtuar më parë në studimin e fizibilitetit. Ministria e Financave bazuar në këto rekomandime ka bërë studimin e fizibilitetit dhe ka dalë me termat e referencës”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Financave theksoi se ky partneritet nuk është dështim i qeverisë, por vullnet për t’u përmirësuar. “Qeveria nuk ka dështuar, por synim për të bërë punën me cilësim. Është vullnet për t’u përmirësuar. Të thuash që qeveria ka dështuar është naive”, deklaroi ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: