Ministria e Financave prezantoi sot programet e reja të nxitjes së punësimit, duke deklaruar se janë tri lloj paketash të ndryshme. Vetë ministrja Anila Denaj theksoi se janë ndërmjetësuar 190 mijë punësime brenda 7 vitesh qeverisjeje nga PS.

“Kemi ndërmjetësuar 190 mijë punësime brenda 7 vitesh. Me paketat e ndihmës gjatë pandemisë synuam që bizneset të largonin sa më pak të punësuar nga tregu i punës. Sot kemi të regjistruar 88 mijë të papunë nga 66 mijë që kishim në shkurt”, tha Denaj.

Ndërsa zëvendësministrja e Financave analizoi me detaje programin e punësimit me tri paketa.

“Programi ka tre lloje paketash të ndryshme, e para është programi i punësimit 4-mujor, e dyta ajo e punësimit 8-mujor dhe e treta është e punësimit 12-mujor. Për programin e parë financimi është për dy paga minimale dhe garanton sigurimet shoqërore për katër muaj. Ky mund të jetë program i volitshëm për turizmin.
Në programin e dytë niveli i financimit dyfishohet, 4 paga minimale dhe kontributet për tetë muaj, ndërsa për punësimin 12-mujor garantohen kontributet për 12 muaj. Në fund të qershorit patëm mbi 84 mijë punëkërkues të papunë.

Për nënat, viktimat e dhunës, romët, programi parashikon 4 paga minimale. Për ata me aftësi të kufizuara programi garanton 12 paga minimale dhe kontributet.
Programi i praktikës profesionale, që iu mundëson praktikë të sapodiplomuarve. Përfitimi është 6 paga në vlerën 50% të pagës minimale. Programi zgjat deri në 6 muaj. Do të ketë një bonus për shpenzimet e transportit”, u shpreh ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb