Nga: VJOLLCA KONGJONI*

TIRANE- Zhgënjejnë të dhënat fiskale edhe për periudhën tetëmujore të vitit. Nga raporti paraprak i Ministrisë së Financave, për periudhën janar-gusht, rezulton se buxhetit të shtetit i mungojnë 2,7 miliardë lekë të parashikuara në fillim të vitit. Performancën më të dobët edhe gjatë kësaj periudhe e shënojnë Tatimet dhe Doganat me 1,6 miliardë lekë më pak të arkëtuara.

Të dhënat paraprake të ministrisë së Financave tregojnë se në periudhën janar-gusht nuk është arritur të mblidhen të ardhurat e parashikuara, të cilat rezultojnë 2,7 miliardë lekë më pak se plani fillestar i vitit. Tatimet dhe Doganat janë zëri që vijojnë të jenë në deficit në mbledhjen e të ardhurave me 1,6 miliardë lekë. Për të dy institucionet mosrealizimi ka ardhur më tepër nga zëri Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që për periudhën 8 mujore është mbledhur 1,2 miliardë lekë më pak. Përsa i përket Doganave të ardhurat e pambledhura në total për këtë periudhë rezultojnë 1,4% më pak se plani, ku vetëm nga TVSH-ja mungojnë 2.3% e të ardhurave.

Ndërsa nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve 0.5% më pak. Po kështu janë arkëtuar më pak të ardhura edhe nga tatimi mbi fitimin me 316 milionë lekë dhe tatimi mbi të ardhurat personale me 220 milionë lekë më pak se plani. Zëri tjetër me realizim më të ulët se pritjet është edhe ai i të ardhurave jo tatimore, në mungesë me 950 milionë lekë. Por të krahasuara me të njëjtën periudhë të një viti më pare, nga të dhënat fiskale për tetëmujorin, vihet re një rritje me 5,1% e të ardhurave, ku efektin kryesor e kanë shënuar të ato jo tatimore. Duke parë performancën e dobët të realizimit të të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat qeveria rishikoi, përmes aktit normativ, buxhetin e këtij viti duke reduktuar parashikimet. Përvec kësaj qeveria pret që deri në fund të vitit të sigurojë 330 milionë dollarë të ardhura nga aksioni kundër informalitetit.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb