Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Administrata tatimore dhe doganore ka mundur të mbledhë të ardhurat në masën 34 miliardë lekë gjatë muajit prill. Parashikimi i Ministrisë së Financave për këtë muaj është 36.8 miliardë lekë. Mosrealizimi është në masën 8% më i ulët se plani dhe 0.9% më i ulët se realizimi faktik i vitit 2015.

Ndërkohë, për periudhën katërmujore të ardhurat kanë rezultuar rreth 7.3 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2015. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat tatimore kanë arritur të jenë në linjë me planin, ku ecurinë më të mirë e ka shënuar tatimi mbi fitimin, që është 32% më i lartë se plani. Këtu financave u ka ardhur në ndihmë “Bankers Petroleum”, që pas një mosmarrëveshjeje me Tatimet në dhjetor të vitit të kaluar ka rënë dakord të paguajë me këste një shumë prej 57 milionë dollarësh, për të cilën qeveria pretendon se është shmangur nga kompania.

Si rrjedhojë “Bankers” po paguan rreth 4.2 milionë dollarë në muaj. Sipas të dhënave të publikuara nga Tatimet, rezulton se diferenca fakt-plan në prill është rreth 4 milionë dollarë. Sipas të njëjtave të dhëna mësohet se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka arritur planin, ndërsa akcizat ishin 7% më shumë. Tatimi mbi të ardhurat personale nuk e ka kapur planin me 4%.

Deficiti
Deficitin në raport me planin në muajin prill e shënuan të ardhurat nga ndihmat me 693 milionë lekë. Të ardhurat nga Tatimi mbi tëë ardhurat personale nuk e kapën planin me 114 milionë lekë, duke pësuar një rënie me 4%. Taksa mbi pasurinë gjithashtu pësoi rënie me 22% në raport me planin e prillit. Rënie shënuan edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore me 3 për qind nga plani i muajit. Ministria e Financave kishte planifikuar të vilte të ardhura jotatimore në 4.6 miliardë lekë, teksa janë arkëtuar vetëm 1.2 miliardë lekë, duke shënuar një mosrealizim 46% më pak se plani i muajit.

Ndërkohë, të ardhurat buxhetore shënuan një rënie vjetore me 4 për qind në muajin mars, ndonëse në nivel tremujor arkëtimet janë 10 për qind më të larta se të vitit të kaluar, për shkak të ecurisë pozitive në janar e shkurt. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave në muajin mars ishte 1.2 miliardë lekë më i ulët se i marsit 2015, apo 4% më pak. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pasur një ecuri të mirë, duke shënuar një rritje me 11 për qind në krahasim me 2015-ën, porse rënia duket të ketë ardhur nga zërat jotatimorë.

Në marsin e vitit që shkoi arkëtimet nga të ardhurat jotatimore shënuan 4.9 miliardë lekë. Nga të ardhurat jotatimore, në tremujorin e parë janë arkëtuar vetëm 1.5 miliardë lekë, me një rënie 68 për qind në krahasim me 2015-ën.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: