TIRANË- Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet 5,598 milionë lekë, në shkurt të vitit 2016. Sipas treguesve fiskalë paraprakë të publikuar nga ministria e Financave, të ardhurat nga ky tatim rezultojnë 1,601 milionë lekë më të larta krahasuar me shkurtin e vitit 2015.

Tatimi mbi të ardhurat personale për të njëjtën periudhë të një viti më parë rezultoi 3,997 miliardë lekë. Ministria e Financave bëri të ditur se të ardhurat e realizuara nga TAP llogariten 103 % të planit, ose 17 % e totalit të të ardhurave të planifikuara për gjithë vitin 2016. Të ardhurat e planifikuara për t’u mbledhur brenda këtij viti nga TAP llogariten 32,073 milionë lekë.

Minimizimi i punës informale duke evidentuar çdo punonjës që punon në marrëdhënie jo të ligjshme pune duket se është në ndër shkaqet kryesore në rritjen e të ardhurave nga ky tatim, por edhe rritja e numrit të të punësuarve. Të ardhurat personale që tatohen janë të ardhurat nga paga në sektorin publik dhe sektorin privat, nga interesat bankare, nga dividendët, nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe nga burime të tjera të ardhurash. Të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat zënë peshën kryesore, në rreth 60%, sa i takon strukturës së vlerave të tatimit të të ardhurave personale.

Nga 1 janari i vitit 2014, qeveria po zbaton një politikë të re taksash mbi të ardhurat personale që njihet si takimi progresiv. Sipas ligjit të ri të gjithë ata që kanë të ardhura nga paga deri në 90 mijë lekë në muaj paguajnë më pak taksa në shtet nga sa paguanin deri në 31 dhjetor të vitit 2013.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: