Në Mianmar kanë humbur jetën dy persona që u hodhën nga një apartament për të shpëtuar nga kontrolli i forcave të sigurisë ndaj kundërshtarëve të grushtit ushtarak.

Sipas lajmeve në mediat lokale, policia bastisi ndërtesën pasi u dëgjua një shpërthim në një apartament në qytetin më të madh të vendit në Yangon.

Pasi forcat e sigurisë nisën kontrollet në apartament për të gjetur personat e dyshuar për shpërthimin, pesë të dyshuarit u ngjitën në çatinë e ndërtesës për të ikur.

Sipas dëshmitarëve okularë, të dyshuarit u hodhën nga çatia pasi u bllokuan nga ana e policisë.

Pas incidentit, dy persona humbën jetën dhe tre të dyshuar të plagosur rëndë u dërguan në spital.

Administrata ushtarake njoftoi se policia bastisi apartamentin pas informacioneve se në apartament kishte materiale shpërthyese.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Deri tani 965 persona kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb