Unioni i Komisionit Zgjedhor (UEC), i cili u formua pas grushtit të shtetit në Mianmar ka mbrojtur idenë e tij se në një të tretën e votave në zgjedhjet e përgjithshme më 8 nëntor 2020 janë regjistruar mashtrime.

Kreu i UEC, Khin Maung Oo, bëri të ditur se ka përfunduar hetimi i cili ka vazhduar për disa muaj lidhur me mashtrimet në zgjedhjet 2020. “Në zgjedhje është përcaktuar se një e treta e votave, pra 11.3 milionë vota janë me mashtrime”, tha Khin Maung Oo.

Duke rikujtuar se përpara zgjedhjeve janë anuluar votimet në shumë rajone për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), Khin Maung Oo tha se “Qeveria e Partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) për të fituar zgjedhjet ka përdorur sipas qëllimit të saj masat e COVID-19”.

Maung Oo, gjithashtu ka vlerësuar se “në kundërshtim me ligjin” faktin që Komisioni Zgjedhor që ka qenë me detyrë para zgjedhjeve ka konsideruar legjitime rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Pretendimet për mashtrime në zgjedhje

Partia NLD e Aung San Suu Kyi ruajti pushtetin duke fituar 238 vende në Parlament dhe 138 vende në senat në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën më 8 nëntor 2020 në Mianmar.

Than Htay, lideri i Partisë së Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP) e cila mbështetet nga ushtria, pretendoi se punonjësit e NLD-së kanë kryer mashtrime gjatë numërimit të votave duke i numëruar votat e partisë dy apo tri herë në shumë kuti votimi.

Komisioni zgjedhor dha vendimin se pretendimet për mashtrim janë të pabaza dhe se zgjedhjet janë fituar nga NLD-ja.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Deri tani mijëra persona janë arrestuar ndërsa 899 persona e kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit dhe grupeve kryengritëse.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb