Një gjykatë e lidhur me ushtrinë që rrëzoi qeverinë e zgjedhur me një grusht ushtarak në Mianmar, dha dënim me vdekje për 19 persona që janë të arrestuar me arsyen se janë përgjegjës për vdekjen e një ushtari.

Në lajmin e televizionit Myawaddy që i përket ushtrisë, njoftohet se 19 personat janë përgjegjës për vrasjen e një ushtari në Yangon dhe se gjykata ushtarake ka dhënë dënimin me vdekje për 19 personat në arrest.

Administrata ushtarake ka dhënë dënim me vdekje për herë të parë që nga grusht shteti më 1 shkurt.

Zëdhënësi i ushtrisë mbrojti ndërhyrjen e armatosur ndaj protestuesve

Zëdhënësi i ushtrisë së Mianmarit, gjeneral brigade Zaw Min Tun ka mbrojtur ndërhyrjen me plumba të vërtetë ndaj protestuesve nga forcat e sigurisë.

Në përgjigje të pyetjeve në një konferencë për media Tun vuri theksin se deri më tani në protesta janë vrarë 16 policë. “Protestat financohen nga vendet e jashtme. Ndërhyrja e forcave të sigurisë është me vend”, tha Tun.

Duke përgënjeshtruar pretendimet për përdorimin e armëve automatike nga ushtria ndaj protestuesve, Tun tha se “Sikur të ishte një gjë e tillë brenda një orë do të ishin të vdekur 500 persona”.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Si pasojë e ndërhyrjes me armë ndaj protestuesve nga forcat e sigurisë, në Mianmar kanë humbur jetën 618 persona/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb