Është rritur në 796 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj grupeve dhe protestuesve që kundërshtojnë grushtin e shtetit ushtarak dhe arrestimin e anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 6 të vdekur, duke rritur në të paktën 796 numrin e viktimave.

Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 3.998 persona dhe se vazhdon të ketë një urdhër arresti për 1.679 persona të tjerë. Jetët e humbura së fundmi thuhet se janë shënuar në zonën Mindat të rajonit Chin ku vazhdojnë konfliktet mes ushtrisë së Mianmarit dhe kryengritësve ndaj grushtit të shtetit.

Në një deklaratë të bërë dje me shkrim nga Forcat e Mbrojtjes Chinland (CDF), grupi i armatosur i formuar kundër ushtrisë së Mianmarit pas grushtit të shtetit u theksua se “Gjashtë nga luftëtarët tanë që mbrojtën zonën Mindat nga administrata ushtarake sakrifikuan jetën e tyre në rrugën e revolucionit kombëtar”.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb