Është rritur në 557 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 7 humbje të jetëve të tjera, duke rritur në të paktën 557 numrin e viktimave civile.

Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 2.658 persona dhe se ka një urdhër-arresti për 235 persona të tjerë.

Protestë kundër grushtit të shtetit me vezët e pashkëve

Në vend vazhdojnë protestat kundër grushtit të shtetit.

Protestuesit në Yangon organizuan një protestë me vezë me rastin e Pashkëve. Mbi vezët e vendosura nëpër rrugët në qendër të qytetit u shkruan slogane: “Kemi nevojë për ushtri federale” dhe “Jo Juntës”.

Me pjesëmarrjen e shumë personave janë zhvilluar marshime kundër grushtit të shtetit edhe në rajonet si Magway, Mandalay dhe Bago.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën mbi 550 protestues.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb