Protestat kundër grusht shtetit në Mianmar kanë vazhduar me një pjesëmarrje të madhe pavarësisht që forcat e sigurisë dje qëlluan për vdekje dhjetëra protestues.

Shumë protestues kryesisht në kryeqytetin Naypyidaw dhe qytetet Yangon dhe Mandalay kanë vërshuar rrugët e qytetit, për të protestuar kundër puçit.

Forcat e sigurisë në Yangon intervenuan me plumba plastike dhe me gaz lotsjellës.

Ndërkohë, në Mandalay ku ndodhi intervenimi më i përgjakshëm i forcave të sigurisë ndaj protestuesve, u organizua ceremoni përkujtimi për vajzën 19-vjeçare Kyal Sin që humbi jetën duke u qëlluar nga koka dhe u shndërrua në simbol të kundërshtarëve të puçit.

Shumë persona në rrjetet sociale vajzën 19-vjeçare e emërtuan si “heroinë”.

Në protestat e djeshme të paktën 38 persona humbën jetën si pasojë e intervenimit të forcave të sigurisë.

Nga ana tjetër, ushtarët pjesëtarë të ushtrisë së Mianmarit, në rrjetin social TikTok, shpërndanë video ku kërcënuan për vdekje protestuesit duke shpërndarë publikime mbështetëse ndaj dhunës së forcave të sigurisë.

Aktivistët theksuan se kanë vërejtur 800 video të ushtarëve në mbështetje të dhunës, ndërsa kërkuan nga TikTok t’i heq këto video.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Teksa ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, në vend më pas u arrestuan shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OKB-në, Bashkimin Evropian (BE), shumë vende kryesisht Turqia, reaguan ashpër ndaj puçit ushtarak. SHBA-ja, Kanadaja dhe Britania e Madhe zbatuan sanksione ndaj zyrtarëve që luajtën rol në grushtin e shtetit.

Kundër grusht shtetit në vend populli filloi protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që përjetimi i humbjes së jetëve si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë, shkaktoi rritjen e pjesëmarrjes në protesta.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb