Sipas dëshmitarëve okularë, junta ushtarake e Mianmarit ka vendosur trupat dhe tanket në Yangon, teksa protestat kundër grushtit të shtetit ushtarak të 1 shkurtit vazhdojnë në qytetin më të madh të vendit.

Demonstratat tani kanë hyrë në javën e dytë, me La Min, një fotograf i pavarur në Yangon, i cili thotë se është hera e parë që ushtarët dhe tanket ushtarake u vendosën pranë vendeve të protestës.

Ndonëse autoritetet e Mianmarit kanë përshkallëzuar shtypjen e tyre dhe kanë arrestuar shumë demonstrues, ata sërish kanë dalë në rrugë në pjesë të ndryshme të vendit për të shprehur mllefin e tyre kundër grushtit të shtetit.

Në Yangon u mblodhën mijëra demonstrues para ndërtesës së bankës qendrore në lagjen Yankin, duke u bërë thirrje punëtorëve të bashkohen në fushatën e mosbindjes civile të nisur nga punonjësit shëndetësorë.

“Pas bankave private, protestuesit kanë filluar të shënjestrojnë bankën qendrore. Ushtarë dhe tanke ushtarake janë vendosur pranë vendit të protestës”, tha La Min, i cili po mbulonte protestat pranë ndërtesës së bankës qendrore.

Mbrëmë vonë, policia hapi zjarr paralajmërues dhe përdori topa uji kundër demonstruesve që refuzonin të shpërndahen në Myitkyina, kryeqyteti i shtetit verior Kachin. Disa njerëz, përfshirë pesë gazetarë lokalë, u raportua se janë arrestuar.

Po ashtu, në të gjithë vendin sot janë pezulluar shërbimet e internetit.

Aye Nyein Phyu, një anëtar i stafit të një kompanie private të telekomunikacionit, tha se: “Junta ushtarake po kërkon legjitimitetin e marrjes së pushtetit të saj jo-kushtetues dhe të paligjshëm. Masat brutale ndaj nesh nuk do të njihen kurrë nga bashkësia ndërkombëtare”.

Duke folur, protestuesit ndanë shqetësimin e tyre se junta do të përdorë taktikat e frikësimit për të parandaluar njerëzit që të protestonin ndaj grushtit të shtetit.

Ushtria tashmë ka një “pjesë të luanit” në kushtetutën e Mianmarit, tha Myo Min, një student 22-vjeçar në Universitetin Mjekësor të Yangon-it. Ai tha se revokimi i kushtetutës dhe rrëzimi i një qeverie të zgjedhur është “gjëja më e krisur që kam parë ndonjëherë”.

“Pra, u takon atyre nëse do të na pushkatojnë ose do të na vrasin, por ne duhet të vazhdojmë protestat tona sepse nuk mund t’i lëmë të na kthejnë në Epokën e Errët”, tha ai.

Selia e partisë së Aung San Suu Kyi e rrethuar nga trupat

“Trupat policore dhe ushtarake po ashtu kanë rrethuar selinë e ish-partisë qeverisëse të Mianmarit në Yangon”, tha një zyrtare e partisë.

“Policia bllokoi një pjesë të Rrugës Shwegonedaing në qytetin Bahan të Yangonit, ku ndodhet selia e Lidhjes Kombëtare për Demokraci”, tha Khin San Hlaing, duke shtuar se ushtarë në kamionë po ashtu u vendosën në zonë.

Ajo tha se 16 anëtarë të lartë dhe deputetë ishin duke mbajtur takim kur forcat e sigurisë mbërritën në selinë e partisë.

“Policia kërkoi hyrjen në ndërtesën e zyrës, por anëtarët e partisë nuk e hapën portën e hyrjes. Ne nuk e dimë se çfarë duan të bëjnë forcat e sigurisë”, shtoi ajo.

Trupat u larguan nga zona pas tre orësh.

Ndërkohë, ambasadorët e huaj në Mianmar dje lëshuan një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje forcave të sigurisë të përmbahen nga dhuna kundër protestuesve dhe civilëve.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb