1.Sinjali Lumas

Në vitet e para të opozitës mbas v. 2013, në kujtesë më ka mbetur një vizitë e imja, asokohe deputet i qarkut Berat, në komunën Lumas; ajo shtrihet në veri të malit Tomor e në kufi me qarkun Elbasan. Duke folur para banorëve të mbledhur, kryesisht demokratë, goja më mori si me marsh automatik temat e debatit parlamentar dhe fillova të shpjegoj sa problem ishte droga e ministri Tahiri. Lumasakët më kujtuan me mirësjellje se fatmirësisht droga nuk ishte problem në komunë por shqetësim madhor ata kishin ujësjellsin, vaditjen dhe çmimet e plehut kimik. Mungesa e vaditjes, që ndër të tjera e mban larg kanabisin, u acarua pesë vite më vonë nga një projekt problematik i bashkisë Berat, i cili devijonte e u hiqte përroin e vetëm dhe që solli edhe përplasje mes banorëve dhe policisë.

Ky episod në dukje flet për të shumëdebatuarin hendek midis fokusit të politikanëve në kryeqytet (apo “elitave”) e popullit të thjeshtë. Nuk është krejt ashtu! Ndoshta lumasakët e mij donin që në kohën e takimit të trajtonin çështjet lokale se të tjerat i ndiqin edhe në televizion; ndoshta tema u jepte siklet se nuk ishin të mbrojtur nga narkobanditët krahasuar me një deputet. Ndoshta ndonjë hileqar bënte plane kanabisi për vitin tjetër nëse rregullohej vaditja. Ndoshta ndonjë shpjegim tjetër.

Gjithësesi reagimi i tyre ngre dy çështje:
Së pari një përfaqësues politik duke mbetur parimor lipset të përzgjedhë sipas kriterit “si vendi edhe kuvendi” se çfarë thotë në takimet publike.
Së dyti dhe më e rëndësishme është çështja nëse PD veproi mirë apo jo ato vite me denoncimin e kanabizimit si aksion qeveritar.
Në kulmin e këtij aksioni në v. 2016 sipas vrojtimeve, industria e kanabisit gjatë sezonit kishte punësuar pa dallim partie afro 20 mijë vetë nga të cilët dicka më pak se gjysma mund të ishin votues të PD; prej kësaj industrie ushqeheshin afro 100 mijë gojë ose 6,3% e pjesëmarrësve në votim në zgjedhjet parlamentare vitin në vijim; pra këtyre politika antikanabis e opozitës u kishte kërcënuar bukën e gojës. Më tej koha e energjia që PD shpenzoi kundër kanabizimit, mund të ishin investuar në tema e politika më me impakt për popullin e thjeshtë në Lumas e në të tërë vendin.

Por çfarë do të ndodhte nëse PD nuk do të denonconte kanabizimin? Ndërgjegjësimi brenda e jashtë vendit për problemin do të ishte minimal; nuk do të kishte trysni mbi Ramën për të shkarkuar “me dorëheqje” Tahirin (mars 2017) dhe ky i fundit do të vazhdonte të quhej “më i suksesshmi ndër ministrat e mij”, do të pritej në kancelaritë e Perëndimit për turpin e Republikës tonë e jo vetëm të saj ; dhe nëse ai nuk e prishte pazarin me shefin do të tentonte me sira të kapte drejtimin e partisë. Nuk do të kishte as akt-akuzë ndaj Tahirit, produkt i drejtësisë italiane dhe e ndonjë prokurori kurajoz (tashmë të spastruar nga vetingu). Por më keq akoma, pa luftën kundër drogës do të kalonim butë butë nga kanabizimi në kokainizim me laboratore si Xibraka të instaluar anembanë atdheut. Tahirizmi mori forma të tjera më subtile por, fatmirësisht për Shqipërinë, skenari më i keq u evitua. Për këtë, PD pagoi një çmim. Siç na mëson Dhiata e Re shpëtimi vjen nga sakrifica.

2.Pyetja Aron

Në një mbledhje të demokratëve të lagjes 5, Tiranë, – ku unë mora pjesë – të thirrur për organizimin e mitingut të 3 marsit, kryetari i partisë denoncoi “lakejtë e Edi Ramës” të cilët shfaqen në çdo ekran tv, për të relativizuar çështjen McGonigal e për të shpifur për ish të dashurën e tij dhe analistët amerikanë që kishin zbuluar informacionet e tjera të papërfshira në akt-akuzë. Duke qenë se prej 10 vjetësh nuk shoh tv, përveçse kalimithi në kafene (interneti më rezulton më i dobishëm), gugllova pak ; gjeta se “lakejtë” në fjalë nismat parlamentare të opozitës për hetimin e skandalit i shihnin si jo si çështje politike por me motive personale dhe i shpjegonin me teorira psikologjike e psikoanalitike. Të tjerë e shikonin këtë si sulm, madje edhe si hakmarrje ndaj Amerikës (edhe pse sulmi bazohet në dokumenta amerikane pjesërisht zyrtare e pjesërisht profesionale dhe është në frymën e tyre). Ata “lakej” do të duhej t’i përgjigjeshin “pyetjes Aron”.

Dy fjalë për këtë të fundit: në rininë e tij, filozofi francez Raymond Aron angazhohej me pasion për një çështje komplekse e sensitive të politikës së ditës. Atij ju dha mundësia për t’u takuar me ministrin përgjegjës të cilit filloi t’i fliste me teorira disi konfuze. Mbas pak ministri me politesë e ndërpreu duke e pyetur: Ju lutem çfarë vendimi do të merrnit ju po të ishit në postin tim? Që atëherë “pyetja Aron” shërben për të diferencuar jo vetëm personat me përgjegjësi vendimmarrëse nga të tjerët, por edhe ata, ndër intelektualët publikë e opinionistët, që guxojnë të pozicionohen qartë e pa ambivalencë morale në debatet e rëndësishme.

E përshtatur, pyetja Aron do të ishte: Çfarë do të bënit ju po të ishit drejtuesit e opozitës dhe të plaste një skandal i tillë? Dhe jo skandal dosido si të shumtit e këtyre viteve; por me kryeministrin i cili dora vetë dhe me pak persona të besuar e josh drejtorin njujorkez të FBI duke i shfrytëzuar lakminë dhe e përdor atë si : 1) minues të demokracisë duke trysnuar e damkosur titullarët e opozitës parlamentare; 2) bandit me kollare duke zhvatur mega-zengjinët e Tiranës.

Ose e thënë ndryshe: çfarë mendoni ju “lakej” se do të bënte Edi Rama si shef opozite po t’i plaste një skandal i tillë? Ai që mobilizoi turmat dhe në 21 janar 2011 mësyu “kokëpalarët” e dhunshëm me pasojat që dihen! Për çfarë? Për një video “ordinere” me licenca e pará megjithëse të përfshirët u dorëhoqën, megjithëse dosja po hetohej nga një prokurori më agresive se e sotmja dhe megjithëse çështja ishte ku e ku më banale krahasuar me atë “McGonigal”.

Ose e riformuluar çfarë do të bënit ju o “lakej” sikur të ishit drejtuesit e opozitës dhe t’ju mohohej një e drejtë themelore parlamentare si komisioni hetimor? Sepse në rastin konkret e sipas ligjit ngritja e komisionit duhej të ishte pothuaj automatike. Sidomos kur kundërshtimi mbështetet me justifikime ngjethëse si të llojit “nuk e zbatojmë ligjin sepse synojmë t’a amendojmë” apo qesharake se “po verifikojmë nënshkrimet e kërkesës” kur prej një muaji 44 firmëtarët e përsërisin përditë kërkesën në plenare, Facebook si dhe në sheshin e protestës. Apo kur pastaj Rama e thotë açik se nuk do të bëhet, se nuk dua unë! Pyetjet Aron po ju a lë në derë “lakejve” pa e vrarë mendjen nëse do të gjegjen e do të flasin sipas ndërgjegjes.

3.Në javët e muajt në vijim

Çështja McGonigal do të piqet në zjarr të ngadaltë: komisioni hetimor do të dojë kohë të ngrihet : kur Gjykata Kushtetuese të urdhërojë. Edhe punimet e tij do të marrin muaj. Po kështu edhe hetimet e Kongresit të ShBA; me të cilin deputetët e Kuvendit duhet të kërkojnë bashkëpunim në hetim. Pa folur për procesin penal atje e këtu. Ashtu siç mori kohë edhe afera e inceneratorëve e ngjizur në dhjetor 2014 dhe aktuale sot e gjithë ditën.

Por përvoja e Lumasit na këshillon që këto muaj fushate deri në 14 maj të flasim pak më shumë për tema si ujësjellësi, vaditja e shërbimet bashkiake. Opozita duhet te lundrojë midis problemeve lokale e atyre qendrore, si dikur i shkathti Odise midis Shilës e Karibdit.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet
7 mars 2023

P. S. Një bravo këtu për reagimin politik të Fatmir Xhafës në debatin plenar për McGonigal-in. E dalloi veten nga bagëtia parlamentare soc-rilindiste. Nuk më duhen fare motivet e tij personale, psikologjike e psikoanalitike. Dhe lexuesi të më falë për këtë post scriptum pa shumë lidhje me shënimin. Por mejtova më mirë ketu se në Facebook.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb