TIRANE– Klevis Balliu është një nga deputetët e Partisë Demokratike, për të cilët është kërkuar përjashtim nga Kuvendi pas situatës së tensionuar të krijuar në seancën e sotme plenare. Pasi ka dalë nga mbledhja e Byrosë së Kuvendit ku po shqyrtohej kërkesa e Partisë Socialiste për përjashtimin e disa deputetëve të opozitës, Balliu ka theksuar se rregullorja e Kuvendit duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.

Balliu tha se nëse ai ka shkelur rregulloren duhet të ndëshkohet, por ka theksuar se zbatimi i rregullores duhet të jetë i njëjtë edhe për kryeministrin Rama që fyen shqiptarët, dhe ministrin Bushati që hodhi ujë ndaj deputetëve opozitarë.

“Përsa i përket masës që kanë marrë këta le të jetë kështu, nëse e vendos rregullorja. Por në asnjë parlament të botës nuk ndodh që kryeministri të fyejë qytetarët e vet dhe të mos merret asnjë masë ndaj tij ky është absurditet. Nëse unë kam thyer rregulloren le të merren masa ndaj meje, por rregullat duhet të merren për të gjithë njësoj. Ajo që bëmë ne atje ishte reagimi i qytetarëve, që ju e shihni se po protestojnë çdo ditë. Ka ardhur koha që t’i përgjigjemi kësaj qeveria bashkë me qytetarët, ndaj opozita është në mbështetje të qytetarëve. Do të reagojmë me mjete demokratike. Miell dhe vezë janë mjete demokratike që janë përdorur edhe në vende të tjera europiane. Ndërsa një ministër i Jashtëm që hedh ujë nuk është parë askund”, u shpreh deputeti demokrat Klevis Balliu.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb