NGA MOIKOZ ZEQO*

Në 13 tetor të këtij viti u mbushën plot 105 vjet nga lindja e Migjenit – përvjetor ky që kaloi krejt në heshtje. Në hullinë e studimeve
për veprën migjeniane kanë rëndësi edhe studimet krahasimtare. Në rastin konkret po ravijëzoj një krahasim midis poetit francez Baudelaire dhe Migjenit.
Dy imazhe gati të njehsueshme, pra deri diku dhe paralele.
Charles Baudelaire dhe Migjeni.
I pari te proza poetike “Loloja dhe Venera”:
“Parku i gjerë shtrihet si i zalisur përpara syrit përvëlues të Diellit… mua më zënë sytë një qenie të pikëlluar. Rrëzë një statuje të një Venere kolosale, një nga ato lolot e rremë, një nga ata bufonët që e kanë për detyrë t’i bëjnë të qeshin mbretërit, kur u qepen keq Brerja në ndërgjegje, apo Mërzia, i pispillosur me ngjyra të ndezura, por edhe qesharak, që ka mbi kokë një kapele me brirë dhe me zilka, i mbledhur kruspull para piedestalit, i ngre sytë e mbushur drejt Hyjneshës së pavdekshme të Dashurisë dhe të Bukurisë.
Sytë e Lolos thonë:
– Jam qenia njerëzore më e fundit dhe më e vetmuar, e mbetur pa dashuri, pa miqësi, madje qëndroj më poshtë sesa kafsha më e pazhvilluar. Megjithatë edhe unë jam krijuar për të kuptuar dhe për ta ndjerë Bukurinë e pavdekshme!
Ah, Hyjneshë, vëre dorën në zemër për trishtimin dhe për ankthin tim!
Por zemërgurta Venerë, indiferente, me sytë e saj prej mermeri s’dëgjon asgjë dhe nuk dihet se çfarë shikon në largësi.”
Kjo prozë u botua në 1857-ën.
Më 1934-ën, Migjeni boton prozën shumë të çuditshme “Novelë mbi krizën”. Përfytyron një vend pa koordinata gjeografike dhe kohore. E quan “Shteti X”. Ka trazira të llahtarshme midis të pasurve dhe të varfërve. Të papajtueshme! Ah, Marksi! Por revolucioni mund të klonohet! Po si? “Përpjekjet e shumta, me rryma të ndryshme, të kundërta, të bazueme në Ungjill, në humanitet, në instinkt, në violencë a në ndoj utopi tjetër nuk mund të bijshin aq shpejt në godi. Shkenca me karakter ekonomik, teknika, mekanika nuk u kqyrshin me sy të mirë në mbledhjet e Shtetit X, – arësyeja ishte se ato qenë një shkak i fortë i krizës së tashme, e cila, tashti, si një polip po thith e po shterr trutë e Parisë. Poshtë e përpjetë, djathtas e majtas, në fund të fundit ra vendimi. U gjet një kompromis. O kompromis, fëmi bastard i të gjitha mbledhjevet! Të dalme dredhurake!
Vendimi i Parisë së Shtetit X ishte ky: me anë të artit të çdollojshëm të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasvet të Shtetit X, si të varfërvet ashtu dhe të pasurvet… Për një kohë të shkurt shndroj faqen Shteti X.
Arti i frymëzuem dhe i punuam pas recetave të Parisë, shndroi Shtetin X në një muzeum artistik. Ishte triumfi i recetës! Ose triumf i artit me qëllim! E qëllimi u mrrinte dalngadalë por me siguri. Kurse shndrroi faqen Shteti X zunë të shndrrojnë trajtat dhe shpirti i nënshtetasve. Shpirti, dikur pëllumb, ishte bam skyfter, tash u ba prap pëllumb. Sidomos shumë kish bamë për çashtjen skulptura. Veprat, që paraftyrojnë të gjitha dashuninat e botës, u gjindshin në çdo skaj, ku përparandej u mblidheshin lypsat për t’organizue shoqata vjedhcash dhe terrori. Ç’e ndryshim ideal!
Tash lypsat, të zbemë nga úja, me supa të mprehtë e kërçikë të ndytë përjashta, rrijnë në podium të monumentavet, dhe rrijnë pa bamë kurrfarë lëvizje kundërshtimi.
Aty rrijnë gjith’ ditën; kur vjen nata, futen nëpër zgavrrat e monumentavet dhe andrrojnë begatinë shpirtnore. E kur zbardh mëngjesi, një nga nji – porsi Sharl-Shaplini tragjiko-komik – çohen nga gjini i monumentavet, hapin gojën, shtrijnë duert’ e kambët, dhe ulen në podium për ta çue gjith’ ditën në enerci të plogët në inerci të plogët.
As nuk hajnë, as nuk pijnë – ushqimi i tyne asht bukuria e monumentavet.”
Teksti i Baudelaire-it është një ftillesë.
Statuja e Venerës dhe një Lolo përballë.
Migjeni e ka lexuar. Pa dyshim. Kuptohet.
Migjeni imagjinon një utopi negative: Shtetin X. Përpara … Zamjatinit, Orwell-it dhe Huxley-it. Një projekt si anti-projekt.
Paria e Shtetit X janë paradhoma për Qenien Supreme të Zamjatinit, të quajtur Benefektori, për “Big Brother”-in orwellian, apo për konvejerët fordistë të Huxley-it.
Lufta marksiste e klasave, dhuna (revolucioni), doktrinat ungjillore (teologjizmi shterp universal), loja e instinkteve (Frojdi) metaforizohen me ironi si utopi.
Ah utopitë e mëdha!
Ah ideologjitë e çmendura!
Nietzsche-i e mohoi krishterimin për ta zëvendësuar me estetikën shpëtimtare për njerëzimin.
Kjo tezë e Nietzsche-s e entuziazmoi Migjenin, por në formën së prapthi. Si kundërshtim perspektiv. Kjo zanafilloi Shtetin X.
Migjeni parandjeu artin doktrinar, ose doktrinën e artit totalitar. Kjo i çon në zgrip tmerrin dhe makthin!
Ja çfarë zbuluesi faustian është Migjeni!
Loloja i Baudelaire-it i përgjërohet statujës së hyjneshës Venera (ideja se bukuria dhe dashuria e shpëtojnë botën) por Venera është boshësia e simbolit.
Migjeni e shfrytëzon këtë ikonografi. Ai shkruan: “Derisa një ditë, në podium të një monumenti që parafytyron gruan me shtatzënë, një laps dhe nji lypse lindin nji djalë. (Ma vonë legjenda theshte se u lind nga monumenti me shtatzanë.)”
Ky djalë është imazhi migjenian që shkatërron imazhin e Lolos së Baudelarie-it. Ai nuk lutet. Nuk përgjërohet. Ai u rrit nga urrejtja. Një mëngjes ky ikonoklast i shkatërroi tërë monumentet, artin e rremë muzeor të Shtetit X. Pra, vetë Shtetin X.
Pakufishmëria e këtij akti mendor (e ç’është revolucioni i dhunshëm?) nuk matet dot. Hitlerizmi i pllakateve. Zhdanovizmi i letërsisë. Analiza e Hanah Arendit për totalitarizmin. Shtetet totalitare qenë realë.
Shteti X migjenian dukej (ngjante) si hipotetik (por jo si republika platoniane e kuajve të Jonatan Swiftit).
Në Shtetin X nënshtetasit eksperimentalë (oh, ç’kavie laboratori!) “as nuk hajnë, as nuk pijnë – ushqim’ i tyne asht bukuria e monumentavet”
Deliri i Mallarme-së. Kulla e Fildishtë.
Utopia e Politikës, si Utopia e Artit.
Teksti i Migjenit është kaq i shkurtër. Njëkohësisht kaq i pafund!

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: