NGA FATMIRA NIKOLLI*

Prezencë e munguar”, Edi Hila 1976. Një karrige bosh, mbi të cilën rri e varur një xhaketë. Një tryezë bosh. Një grua gjysmë me shpinë. Ngjyra të vrara. Matanë, Marco Fantini me një tablo të madhe, sërish, në ngjyra të vrara, vjen nga matanë detit, për të sjellë stilin e tij. Diku më tutje është Enkelejd Zonja, një prej artistëve të brezit të ri që vjen me tri vepra, mes të cilave veçojmë një dhomë të boshatisur, dy silueta në ngjyrë të murrme, një pasqyrë të madhe.

Arben Bajo (punët e të cilit të sjellin ndërmend Ralf Broën), vjen me skulptura, nudo të shtrira, të harkuara, femra të dobëta, punë kaq sensuale, plot shprehi që mund t’i shohësh për minuta të tërë pa u ndalur, herë me flokë të mbledhur e herë me flokë harlisur, të kërrusura e të shtrira mbi arka të drunjta. Përballë tyre, tri piktura të Lume Bloshmit, tri femra me linja të kolme, që qëndrojnë pranë thatimeve të Bajos.

Me fytyrën e mbështjellë me duar(sikur mban gjithë dhimbjen e botës), flokët e parregullt, shikimin e humbur në askun, ulur në dysheme, burri i Rakip Shabanit, i ka kthyer shpinën qytetit, plot pallate palosur njëri mbi tjetrin, dritare ‘dritashuara’. Ai i ikën botës dhe i vë duart kokës, ndërsa në të djathtë të tij, syri të kap “Peshkopin” e Stefano Albaneses, në një tablo të madhe që të rrëmben, me portretin e thjeshtë, duart e kryqëzuara, dhe rretheanën e gjelbër që i shton elementin natyrë.
Në anën tjetër janë tablo të mëdha të Zini Veshit, e përtej tij, disa vizatime të hershme të Ardian Isufit, por edhe një instalacion i ri me të cilin ai mori pjesë në një ekspozitë në Vjenë.

Të gjithë këta artistë, koncepti kuratorial i Krenar Zejnos rreket t’i bashkojë e t’i lidhë me Migjenin. Por ky është një trik. Disa syresh se kanë njohur kurrë atë, as letërsinë e tij, e përtej kësaj, veprat e tyre, gjendja që bartin a që arrijnë të përcjellin, as që e fton Migjenin, as letërsinë e tij. Veprat, secila më vetë a të gjitha së bashku, mund të qëndrojmë edhe me një koncept tjetër, për aq sa poetika është shpeshherë e pranishme në artin pamor, e për aq sa vetë kuratori tha se në to nuk duhet kërkuar dramaticiteti migjenian doemos, sepse Migjeni pati edhe hove rinore. Anipse titulli i ekspozitës së çelur dje në Galerinë Kombëtare është “Neomigjeniana-I gjeni një qytet Migjenit”, vetë Migjeni, duket të jetë më shumë një pretekst se sa një fije lidhëse. Vetë kuratori tha se “asnjë nga tablotë nuk e ka pasur këtë qëllim (pra Migjenin), ky është thjesht një kurth kuratorial, pra tablotë janë pafajësisht aty, por në një përbashkësi kur një shenjues është e udhës të vendosë një thelb, që mund të jetë qoftë edhe një dinakëri kuratoriale, apo në rastin e një jubileu kërkon të bëjë bashkë artin e letërsisë me artin imazhit”.

Ndokush pyet nëse për të ‘prekur’ ekspozitën duhet të njohim letërsinë e Migjenit? Po dhe jo. Ndërsa koncepti kuratorial qëndron në hyrje, letërsia e tij nuk mundet të shfaqet në vepra, që nuk janë krijuar as për të, as prej tij, e aq më tepër nga njerëz që edhe se kanë njohur, e mbase nuk do ta njohin kurrë.

Artistët që marrin pjesë në ekspozitë janë: Stefano Albanese, Arben Bajo, Izabela Beisert, Lume Blloshmi, Marco Fantini, Renee Fuhrer, Helidon Haliti, Edi Hila, Ardian Isufi, Idlir Koka, Genti Korini, Anastas Kostandini, Ilias Christo, Greta Dhaskali Lami, Agim Muka, Murat Keraj, Simone Pellegrini, Rakip Shabani, Zini Veshi, Gembi Xerxa, Enkelejd Zonja.

Zejno ka zgjedhur të kërkojë në veprat e tyre (të krijuara më herët se të ishte ideuar kjo ekspozitë), elementin “migjenian”. Përmes këtyre imazheve termin letrar të kthyer në fenomen, ai tenton ta sjellë në ditët e sotme duke i vendosur titullin ekspozitës “Neomigjeniane”.

Në konferencën për shtyp drejtori i GKA, Artan Shabani, falënderoi të gjithë artistët pjesëmarrës the ftoi publikun të vizitojë ekspozitën, ndërsa kuratori Krenar Zejno, ftoi mediat dhe publikun të gjejnë një këndvështrim të ri përmes artit të imazhit, atë neomigjenian, duke i nxitur të shohin dhe perceptojnë më thellë si veprën në imazh, ashtu edhe veprën e shkruar të Migjenit.

“Asnjë nga këto vepra nuk ka një posaçmëri, nuk ka një qëllim që të ilustrojë Migjenin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por prej Migjenit është huazuar një koncept. Termi “Migjenian” është shumë i njohur dhe gjendja që ai përshkruan shpesh në shkrimet e tij, mund të shfaqet fare kollaj edhe tek një artist i huaj i cili nuk e ka njohur kurrë Migjenin, por diku mund ta mbart, apo rikonfirmojë atë. Këto përkime, apo koincidenca të tjera janë përzgjedhur për të qenë pjesë të kësaj ekspozite”, tha kuratori. Edhe pse subjekti në tablo është në një kontekst tjetër, e qeniet e fshehura në një tablo janë të një vendi tjetër, sipas Zejnos mund të bashkohen nga një lloj dramaciteti migjenian, apo një lloj poeticiteti migjenian që mbart këto elementë. Ekspozita do të mbyllet më 16 Nëntor 2015.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: