NGA ERJOLA JATA*

TIRANË- Ministria e Brendshme bën të ditur se për 8 muaj 91 fëmijë të mitur që janë gjetur të pashoqëruar ne vendet e BE janë kthyer në Shqipëri dhe 76 raste prej tyre po trajtohen nga shërbimi social shtetëror ndërsa 15 të tjerët janë në proces vlerësimi.

“Nga Janari 2015 deri me tani janë 91 raste minorenësh të pashoqëruar, 76 raste janë vlerësuar nga shërbimi social dhe 15 janë në proces vlerësimi të gjithë këto janë raste të shtetasve shqiptarë. Sipas informacionit të ofruar nga zyra e UNCHR-së rreth 22 të mitur të pashoqëruar kanë hyrë në territorin shqiptar në 2014”, tha zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea.

Sipas përfaqësuesit të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, vendi ynë, krahasuar me vendet e Ballkanit perëndimor, ka numrin më të lartë të emigrantëve dhe rrjedhimisht numrin më të lartë të të miturve të pashoqëruar që emigrojnë jashtë.

“Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të minorenëve të pashoqëruar të BE-së. Migrimi i të miturve të pashoqëruar në vendet e BE-së nuk ndodh vetëm nga Shqipëria por edhe nga vendet e tjera të Ballkanit. Çdo vend i BE-së duhet të adresojë këtë problem në mënyrë të kujdesshme”, tha Yngve Engstromen, shefi i operacionales së BE në Shqipëri.

Qeveria shqiptare pranon se ka pasur një numër në rritje të azilkërkuesve shqiptarë, dhe pasi Komisioni Europian e shpalli Shqipërinë si vend të sigurt, shpreson që numri i azilkërkuesve nga Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit perëndimor në vendet e BE-së të ulet ndjeshëm. Ndërkaq në workshop u vërejt fakti se vendet e BE-së kanë një larmi përsa i përket trajtimit të të miturve të pashoqëruar në territorin e tyre dhe në procedurat e kthimit. Specialistët thanë se motivet e emigrimit të të miturve nëpër botë janë ende të paqarta, pro më së shumti bëhet fjalë për të mitur nga vendet e konfliktit, siç është Siria.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb