NGA FATMIRA NIKOLLI
TIRANE-Mihal Luarasi është sot 85-vjeçar. Një pjesë të mirë të këtyre viteve i ka kaluar i lidhur me Teatrin Kombëtar. Për këtë arsye, kur vjen puna për të diskutuar mbi këtë tempull si skenë, apo edhe si godinë, ai (regjisor e dramaturg) është një ndër njerëzit e paktë që i ka më shumë vend fjala. I pyetur nga “GSH” sa i takon idesë së hedhur nga Hervin Çuli për gjendjen e godinës aktuale të TK-së, ai shprehet në mbështetje të drejtorit. Veçse Luarasi ngulmon që Teatri nuk duhet shembur, pa qenë e qartë se ku do ndërtohet i riu, pasi sipas tij, Tirana s’mund të rrijë pa teatër, e teatri (si art) nuk mund të vdesë ndërkohë që ndërtohet teatri (si godinë). Luarasi i qëndron idesë se teatri i ri duhet të jetë në qendër. E megjithatë, përmes rreshtash e fjalish që nisin e nuk përfundojnë, i lexohet një farë frike kur kujton planin e famshëm francez të Tiranës. “Vite më parë, doli një projekt që u quajt projekti francez për qendrën e Tiranës. Në këtë qendër nuk figuronte kurrkund Teatri Kombëtar. Kam folur me ata dy arkitektët francezë. I pyeta ku e keni vënë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, se në kryeqytetin tuaj e keni në qendër dhe në këtë qendrën që na keni bërë ne, nuk e shoh. Ata heshtën. Si duket, nuk ka pasur pretendime nga porositësit e atij projekti që të kishte diku në qendër një teatër. Në fakt, në zonën ku sot është teatri, pra pas Ministrisë së Brendshme, në maket dukeshin qartazi një varg ndërtesash banimi”, kujton ai.

Pa dashur të paragjykojmë një ide që nuk dihet ende ç’mbështetje ka, që nuk dihet madje as nëse e ka marrë përkrahjen e qeverisë, më saktë të kreut të saj, frika e ‘zbulimit’ të një trualli të lakmuar 5 hapa nga Skënderbeu, duket se endet ende përmbi artistët.

Të gjithë janë dakord që duhet një teatër i ri, për aq kohë sa i vjetri i ka mbushur ditët e veta dhe lëngon në anë të skenës, tek garderoba, apo në skuta të tjera, që publiku në sallë nuk i sheh qartë. Se ku, kur, si e qysh do ndërtohet, nuk dihet. Më poshtë, intervista e Luarasit.

Profesor, cili është mendimi juaj për idenë e hedhur nga drejtori i TK-së për një teatër të ri? A mendoni se duhet shembur ky që është?
Unë mund të flas fare mirë për nevojën e një teatri të ri kombëtar. Nuk jam për një rindërtim të këtij ekzistues, pasi do të ishte një shaka e keqe. Duhen fonde për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar, ashtu siç e ka çdo kryeqytet i botës, madje edhe kryeqytetet e vendeve të vogla.
Vendi i teatrit të ri duhet të jetë në qendër të kryeqytetit. Më vjen rasti të përsëris duke nderuar dikur presidentin socialist Rexhep Meidani. Ai, shumë vite më parë hodhi idenë që të grumbullohen fonde për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar. Meidani pati bërë thirrje për këtë çështje, madje u bë mbledhje e madhe në TK për këtë qëllim. Fatkeqësisht, qeveria e atëhershme e Nanos i vuri fre kësaj nisme dhe gjithçka u ndërpre, por mund t’i rikthehemi sërish kësaj nisme.
Koha për të ndërtuar një teatër të ri ka kaluar prej kohësh, por po themi se ka ardhur koha që të bëjmë një teatër të ri.
Mendoni se duhet ndërtuar aty ku është sot, apo duhet gjetur një hapësirë e re?
Teatri duhet të jetë në qendër. Çështja e rishikimit të qendrës së kryeqytetit, të Tiranës më sjell ndërmend një tjetër ngjarje. Vite më parë doli një projekt që u quajt projekti francez për qendrën e Tiranës. Ky projekt u ekspozua në Galerinë Kombëtare të Arteve për një kohë të gjatë. Dhe në këtë qendër nuk figuronte kurrkund Teatri Kombëtar, megjithëse ata që ishin autorë të projektit, francezët, në atdheun e tyre e kanë teatrin në qendër të qytetit. Unë them se për çështjen e godinës së teatrit duhet menduar dhe duhet menduar seriozisht, jo me nisma që përmendi shifra 500 mijë euro. Kjo kështu nuk bëhet. Ose bëhet Teatri i ri Kombëtar dhe kjo çështje planifikohet si duhet, ose nuk bëhet fare.
Me sa jeni ju në dijeni, a është ky një mendim i pjekur për të cilën është biseduar në instancat më të larta, apo është një ide e hedhur për të testuar qeverinë nga njëra anë dhe opinionin publik e artistët nga ana tjetër?
Unë nuk di që nga ana e autoriteteve të jetë bërë ndonjë ftesë për të marrë mendim, as artistëve të Teatrit Kombëtar, as atyre pensionistë siç jam unë për të dhënë mendimet e idetë e tyre për TK-në. Nuk e di nëse është diskutuar më lart dhe nëse është një mendim i pjekur. Po e marr të mirëqenë që është bërë kjo thirrje dhe po jap mendimin tim përse duhet të bëhet Teatri Kombëtar. Ne të gjithë jemi në një mendje, me ndërtimin e qindra xhamive dhe kishave anë e mbanë Shqipërinë. Është gjë e mirë që ndërtohen këto institucione fetare, por ama ka një tempull të kombit, që është i përbashkët për të gjitha fetë: teatri. Është tempulli që përbashkon të gjithë shqiptarët.
Kur kryeministri i sotëm ishte ministër Kulture, pati një debat të gjerë dhe artistët e kundërshtuan shembjen e teatrit.
Mendimet e asaj kohe s’ishin të qarta. Diskutimi ishte, nëse përpara duhet të prishej ekzistuesi që kishim dhe kemi dhe pastaj të mendohet për një teatër të ri, apo si duhet të jetë kjo punë. Artistët nuk qenë dakord që të prishej ky teatër pa u bërë një teatër tjetër.
I njëjti mendim është edhe tani?
Po sigurisht. Pse ku do punojë Teatri Kombëtar, ku do i vërë shfaqjet? Prapë po kthehem tek ai projekti francez. Kam folur me ata dy arkitektët francezë. I pyeta ku e keni vënë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, se në kryeqytetin tuaj e keni në qendër dhe në këtë qendrën që na keni bërë ne, nuk e shoh. Ata, heshtën. Si duket, nuk ka pasur pretendime nga porositësit e atij projekti që të kishte diku në qendër një teatër. Në fakt, në zonën ku sot është teatri, pra pas Ministrisë së Brendshme, në maket dukeshin qartazi një varg ndërtesash banimi. Ky ishte absurditeti dhe në atë maket Teatri Kombëtar nuk gjendej fare.
Lidhur me ndërtesat e banimit, debati i kahershëm sillej edhe rreth idesë që në vend të Teatrit të ngrihej një godinë e lartë, në të cilën pos të tjerash të ishte edhe Teatri. A mund të ndodhë edhe tani?
Nuk e di, por nuk do ishte me vend. Teatri Kombëtar nuk mund ta ndërpresë punën e vet, që të mos ketë krijimtari, pra nuk mund të vdesë njëherë e pastaj të ndërtohet godina e re dhe të fillohet nga e para. Nuk do ishte e drejtë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb